Kurti s’ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me pakicat, aktualisht i ka 57 vota

  • 03 February 2020 - 10:26
Kurti s’ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me pakicat, aktualisht i ka 57 vota

Saktësisht 57 vota i kanë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvend, derisa nuk është bërë e ditur nëse mandatari, Albin Kurti ka arritur ndonjë marrëveshje me pakicat. Lista Srpska në anën tjetër ka njoftuar se nuk do të mbështesë qeverinë Kurti.

Pak pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti shkoi në komunën e Prizrenit, për t’u takuar me pakicat.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar të dielën, LV dhe LDK marrin nga gjashtë ministri, derisa pakicave ju shkojnë tri.

Kurti dje tha se takimi me komunitetet po bëhet si përpjekje për krijim të qeverisë.

“Prej 10-të deputetëve që janë të pakicave joserbe kanë krijuar një grup multientik i cili përbëhet nga gjashtë deputetë dhe pas përfundimit të bisedimeve me LDK-në dhe nënshkrimin e marrëveshjes me ta për bashkëqeverisjen tonë që duhet të votohet nesër në Kuvend, unë pa humbur kohë në këtë ditë të fundit po zhvilloj takime me deputetët e këtyre pakicave joserbe, në mënyrë që shumica jonë parlamentare që do ta vulosë ndryshimin politik të 6 tetorit të jetë sa më e madhe, pra po përpiqemi të kemi sa më shumë vota për qeverinë e nesërme. Në bazë të obligimit Kushtetues që kemi, për shkak se do të jenë gjithsej 15 ministri, tri do t’i takojnë pakicave”, u shpreh Kurti.

Ndryshe, pak minuta më parë është bërë e ditur se pakicat do të mbajnë takim me Albin Kurtin para fillimit të seancës.

Deputeti Veton Berisha, ka deklaruar se sot pritet para fillimit të seancës për votimin e qeverisë të dakordohen me mandatarin Albin Kurti për ministrin nga komunitetet.

Ai tha se komuniteti egjiptian ka kapacitete dhe pret që t’i besohet një ministri. Pavarësisht kësaj, ai tha se do ta votojë qeverinë.

“Vetëm sa erdhëm në Kuvend dhe sot po pritet me u dakorduar me z.Kurti, ta shohim a po pajtohen me kërkesat tona dhe me ofertën tonë. Është programi i qeverisë për zhvillimin e komunitetit, komunitetit egjiptian në këtë rast. Ne prej fillimit kemi thënë që jemi të interesuar të marrim përgjegjësi në qeveri që me marrë për herë të parë me pas komuniteti egjiptian një ministri, kemi kapacitete, kemi mundësi dhe po e shqyrtojmë këtë mundësi. Po shpresojmë që ministria e 13 që veçse ka dal në opinion me na u besua neve, për shkak që është e mundshme me kushtetutë dhe vetëm duhet vullnet politik”, tha ai.

Berisha tha se në parim janë për të votuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi shtoi se nuk janë për të penguar.

Seanca për votimin e qeverisë së re pritet që të fillojë në ora 11:00. Tashmë janë bërë të ditur emrat e ministrave të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)