Lista Serbe shkon në Kuvend

  • 03 February 2020 - 10:44
Lista Serbe shkon në Kuvend

Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, ku po pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re.

Pas pak do të fillojë seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet Qeveria Kurti, ndërkaq në objektin e Kuvendit është parë të ketë arritur deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.

Derisa kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, të dielën ka deklaruar se partia e tij nuk do ta përkrah qeverinë e re të Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri ngase i besojmë vetëm Beogradit”, ka thënë Rakiq, pas takimit me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Ky i fundit tha se Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë.

“Nuk ka kushte që Lista Serbe ta votojë qeverinë e re, por do të marrë pjesë në institucione dhe do ta përmbushë mandatin e vet”, ka thënë Gjuriq. Megjithatë, nuk dihet nëse sot ka ndryshuar ky disponim.

Lista Serbe është subjekti më i madh politik që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar të dielën marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.

(Kosova Sot Online)