“Xixa’ nga diamantet e Rolex-at e vjedhur, çfarë u gjet në shtëpinë e tre shqiptarëve

  • 04 February 2020 - 09:25
“Xixa’ nga diamantet e Rolex-at e vjedhur, çfarë u gjet në shtëpinë e tre shqiptarëve

Policia italiane e Piza ka arrestuar ditën e djeshme 3 shqiptarë, përkatësisht dy djem dhe një vajzë rreth të tridhjetave, pasi kishin kryer vjedhje të banesave gjatë ditëve të festave të fundvitit. 

Pas një kontrolli rutinë ushtruar ndaj 3 shqiptarëve, policia italiane i gjeti ata pa dokumentacion të rregullt, dhe kjo bëri që dyshimet të shtoheshin, dhe kontrolli të vijonte edhe në banesën e tyre.

Pas kontrollit në banesën e shqiptarëve, policia italiane e Pizës zbuloi se apartamenti ishte një depo e vërtetë e bizhuterive dhe sendeve me vlerë të vjedhura.

3 shqiptarëve iu gjetën ora të markave të shtrenjta si Rolex, Cartier, Sector, Casio si dhe sende shume të çmuara, vathë, unaza, gjerdanë, byzylylë ari dhe gurë të çmuar përfshirë diamante, smerald dhe rubin të cilat kishin një vlerë të konsiderueshme të hollash.

Mes objekte të çmuara kishte dhe sende të tjera të firmave të shtrenjta si Gucci, Prada, Fendi si dhe një sasi parash cash.

Falë bashkëpunimit të qytetarëve, u bë e mundur të konstatohej se një pjesë e këtyre objekteve vinin nga një seri vjedhjesh të kryera midis provincave të Pizës dhe Luccës në periudhën nga 31 dhjetori deri në 3 janar.

Në fakt, sendet ishin vjedhur ndërsa banorët mungonin gjatë pushimeve të dimrit. 3 shqiptarët plaçkitnin shtëpitë duke marrë prej tyre gjithë sendet me vlerë që gjenin.

Falë përpjekjeve të hetuesve, u bë e mundur rikonstruksioni i 6 episodeve kriminale, tre prej të cilave u kryen në 3 apartamente në qendër të qytetit në zonën Porta a Mare, një brenda një vile në Pontasserchio, një tjetër brenda një vile tjetër në San Giuliano dhe një i fundit, shumë i madh, brenda një shtëpie në Capannori, në Lucca.

Nga hetimet dhe kërkimet rezultoi se e reja shqiptare kishte qenë e arrestuar edhe më parë për posedim të lëndëve narkotike të llojit kokainë, rreth 1kg. Autoritetet italiane nuk kanë njoftuar asgjë rreth identitetit të 3 shqiptarëve ndërkohë që vijon kërkimet për dokumentimin dhe zbardhje e plotë të kësaj ngjarje.

Ndaj 3 shqiptarëve u mor masa e sigurisë e arrestit në burg. Ndaj tyre rëndon akuza e vjedhjes dhe plaçkitjes së banesave.

(Kosova Sot Online)