Shënon rritje numri i studentëve të pastrehë në Shtetet e Bashkuara

  • 04 February 2020 - 15:04
Shënon rritje numri i studentëve të pastrehë në Shtetet e Bashkuara

Sipas një hulumtimi të ri, numri i studentëve të pastrehë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më i larti në më shumë se dhjetë vjet.

Shumica e 1.5 milionë studentëve dhe nxënësve të pastrehë qëndrojnë me familje të tjera ose me miqtë pasi i kanë humbur shtëpitë e tyre.

Sidoqoftë, sipas raportit të Qendrës Kombëtare për Shkollim të të pastrehëve, 7 për qind e këtyre studentëve jetojnë në vetura ose ndërtesa të braktisura.

Mbetja pa strehë shpesh shkaktohet nga pasiguria në punë, kostoja e papërballueshme e jetesës, dhuna në familje dhe kriza e përdorimit të substancave narkotike.

Jetesa pa adresë të caktuar ndikon seriozisht në shkollimin dhe shëndetin e studentëve dhe të nxënësve, shkruan “BBC”.

Më pak se një e treta e nxënësve dhe studentëve të pastrehë mundën të lexojnë rrjedhshëm, ndërsa një pjesë edhe më e vogël e tyre kishte shkathtësi në matematikë dhe shkenca të tjera.

Në periudhën 2004-2005, në Shtetet e Bashkuara jetonin 680 mijë nxënës dhe studentë të pastrehë, ndërsa shifra u dyfishua 13 vjet më vonë.

(Kosova Sot Online)