Çdo gjë merr fund, edhe të emëruarit politikë të Haradinajt i lëshojnë zyrat

  • 04 February 2020 - 15:22
Çdo gjë merr fund, edhe të emëruarit politikë të Haradinajt i lëshojnë zyrat

Kryeministri i ri, Albin Kurti, tashmë ka pranuar mandatin e tij edhe zyrtarisht. Shumica e ministrave kanë marrë mandatet. Zyrtarët e Qeverisë Haradinaj tregojnë për media se sot zyrtarisht ka pushuar secila detyrë e tyre. Prej nesër të emëruarit politikë të Qeverisë së kaluar nuk duhet të dalin në zyra. 

Disa prej ish-ministrave kanë njoftuar se i kanë liruar pozitat e tyre për t’u lënë hapësirë pasardhësve të tyre të Qeverisë Kurti, megjithatë ka akoma qeveritarë që nuk janë ndërruar.

Detyrën i pari e ka marrë kryeministri Kurti nga zëvnedëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili më vonë ia ka liruar vendin edhe Glauk Konjufcës, i cili është ministri i ri i Jashtëm.

Ish-shefi i stafit të Haradinajt, Selim Selimi, ka thënë për media se çdo zyrëtarë largohet, me largimin e Kryeministrit.

“Të gjithë të emëruarit politikë janë të lidhur me ditën e emërimit dhe të pushimit të ushtrimit të funksionit të Kryeministrit”, ka thënë Selimi.

Edhe ish-zëdhënsja e Qeverisë, Donjetë Gashi, ka treguar që tashmë kanë pushuar detyrat e punonjësve politikë në ekzekutiv. a

Konjufca, Agim Veliu, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Besian Mustafa tashmë kanë marrë detyrat e tyre.

Zëvendëskryeminstri Enver Hoxhaj ka njoftuar se i ka lëshuar zyrën e zv.kryeministrit të parë Avdullah Hotin dhe e ka njoftuar për punët që e presin.

“Sot i dorëzova detyrën Zevendëskryeministrit Abdullah Hoti. E urova për detyrën e re dhe e informova për punët e kryera dhe ato që e presin”, ka shkruar Hoxha.

Të emëruarit politikë kanë nisur largimet e tyre me t’u votuar qeveria e re.

Bashmir Xhemaj i PDK’së dje ka publikuar një fotografi duke i mbledhur gjërat e tij për ta lëshuar zyrën.

“Sot ishte dita ime e fundit e punës në qeveri. Jam krenar që i kam shërbyer Kosovës, me aq mundësi dhe dije. Jam krenar për çdo të arritur nga viti 2013 në lobimin për njohje; anëtarësimin në organizata e deri tek përgatitja e takimit të parë të mbledhjes së dy qeverive Kosovë-Shqipëri me 2014”, ka shkruar Xhemaj në Facebook.

Kabineti i ri qeveritar përbëhet nga dy zëvendëskryeministra dhe 15 ministra. Ndërkaq Qeveria Kurti do të ketë edhe 33 zëvendësministra, të cilët akoma nuk janë emëruar.

(Kosova Sot Online)