Vjen thirrja ndaj Prokurorisë: Të hetohet Shpend Ahmeti, ja skema kriminale...

  • 05 February 2020 - 07:42
Vjen thirrja ndaj Prokurorisë: Të hetohet Shpend Ahmeti, ja skema kriminale...

 “Unë shpresoj se tani prokuroria do të merret seriozisht me çështjen e liqenit të Badovcit dhe të zbardhë deri në fund skemën e krimit të organizuar që ka të bëjë me leje ndërtimi dhe kjo nuk duhet kufizuar vetëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por përgjegjësia të ndiqet deri te komuna e Prishtinës, gjegjësisht të kryetari Shpend Ahmeti dhe implikimet e tjera në projektin e ndërtimit të lagjes në Liqenin e Badovcit”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Presioni që po i bënë Shoqërisë civile Prokurorisë lidhur me skandalin e lagjes së vilave te Liqeni i Badovcit, vazhdon të marr mbështetjen edhe të analistëve të politikës, të cilët kërkojnë që hetimi të shkojë nga Ministria e Mjedisit, drejt në kabinetin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe të mos kufizohet vetëm në atë që është iniciuar nga Organizatat Joqeveritare.

Lidhur me këtë çështje, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Është një hap i mirë që shoqëria civile ka ndërmarrë këtë hap dhe ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovci, për ta kundërshtuar këtë projekt që njëherë do të ishte masakra më e madhe ndaj ambientit dhe pasurive natyrore që ka Kosova. Po ashtu mendoj se me këtë nismë të këtyre organizatave të shoqërisë civile bëhet edhe një vetëdijesim i qytetarëve për t’i shfrytëzuar të gjitha mekanizmat ligjor për të kundërshtuar projekte oligarkësh që kanë për synim vetëm interesat e tyre e jo edhe të qytetarëve apo të vendit”, thotë analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

E sipas Hazirit, objekti kryesor i hetimit për këtë skandal, duhet të jetë kryetari Shpend Ahmeti dhe vartësit e tij.

“Unë shpresoj se tani prokuroria do të merret seriozisht me çështjen e liqenit të Badovcit dhe të zbardhë deri në fund skemën e krimit të organizuar që ka të bëjë me leje ndërtimi dhe kjo nuk duhet kufizuar vetëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por përgjegjësia të ndiqet deri te komuna e Prishtinës, gjegjësisht të kryetari Shpend Ahmeti dhe implikimet e tjera në projektin e ndërtimit të lagjes në Liqenin e Badovcit. Është fakt se sektori i ndërtimit në Kosovë, e në veçanti në kryeqytet është një nga sektorët më të kriminalizuar përmes së cilit bëhen edhe shpëlarjet e parave me origjinë të dyshimtë, dhe natyrisht në të gjithë këtë rrjet kriminal në këtë sektor janë të implikuar edhe strukturat udhëheqëse të komunës së Prishtinës, të cilat iu janë nënshtruar apetiteve të oligarkëve për të shtrirë ndërtimet dhe biznese e tyre kudo që ata munden dhe duan”, deklaron analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)