Kurti kryeministër, ja paralajmërimi i fortë për koalicionin VV-LDK

  • 05 February 2020 - 07:51
Kurti kryeministër, ja paralajmërimi i fortë për koalicionin VV-LDK

“Në lidhje më atë që këto dy parti në aspektin e ideologjisë politike janë të kundërt shpresoj që nuk do të reflektojë në ndarjen e agjencioneve të pavarura duke vazhduar më një traditë që nga pas lufta por të vlerësohet meritokracia si pikë referuese”, thotë Shala për “Kosova Sot Online”.

Albin Kurti tashmë edhe zyrtarisht ka filluar punën si Kryeministër i Republikës së Kosovës. E kjo erdhi pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar koalicionin e ri qeverisës, ku vetëm këto dy parti, së bashku bëjnë shumicën shqiptare me 57 deputetë, kurse me partnerët e minoriteteve jo serbë, sigurojnë votat e mjaftueshme për të vazhduar dhe funksionuar si koalicion i shumicës së thjeshtë.

Megjithatë, me arritjen e këtij koalicioni dhe marrjen e bekimit në Kuvendin e Kosovës, sipas analistëve politikë përfundimisht ka dështuar plani i Hashim Thaçit dhe klanit të tij të nëntokës, që të mos e lejojë krijimin e këtij koalicioni.

Analisti dhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala shpreson që me këtë qeveri do të ketë ndryshime pozitive në interes të qytetarëve të Kosovës, e jo siç ka qenë deri më tani i tërë instrumenti shtetërorë, sistemi i drejtësisë dhe të gjitha agjencionet e ashtuquajtura të pavarura, në shërbim të pushtetarëve të inkriminuar me nëntokën kriminale që po e sundojnë Kosovën.

Image
Drizan Shala

“Qytetaret e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit kanë votuar për një qeveri e cila sipas tyre do të jete qeveri e "shpresës", ndërsa pas rezultateve po atë nate të 6 tetorit fillojë një sfide e radhës duke e stërzgjatur me numërim dhe rinumërim dhe kështu shkaktuan një vonesë në formimin e institucioneve të vendit. Në lidhje më atë që këto dy parti në aspektin e ideologjisë politike janë të kundërt shpresoj që nuk do të reflektojë në ndarjen e agjencioneve të pavarura duke vazhduar më një traditë që nga pas lufta por të vlerësohet meritokracia si pikë referuese”, deklaron Shala për “Kosova Sot Online”.

Kurse, analisti Ragip Guraziu, e ka cilësuar fillim të ç’kapjes së madhe të shtetit të Kosovës, arritjen e koalicionit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës.

Një sukses i madh i bërjes së këtij koalicioni, sipas Guraziut është dështimi i planit të Hashim Thaçit dhe klanit të tij e të nëntokës që të mos e lejoj krijimin e kësaj marrëveshje.

Image
Ragip Guraziu

“Më nënshkrimin e koalicionit në mes VV-së dhe LDK-së, Listës Serbe do ju shuket zëri dhe ndikimi destruktiv ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Tani dy këto subjektet politike që dolën fituese të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, të vitit 2019,VV dhe LDK, duhet të ja kthejnë shpresën qytetarit të Kosovës. Tani këto dy subjekte politike duhet të pozicionohen fuqishëm në mbrojtje të interesit të shtetit të Kosovës dhe që Serbia të sillet më ndryshe, duhet sjell ndryshe kundrejt shqiptarëve në rast se kanë një vullnet të mirë, për ta shpëtuar Serbinë, me ata kufij që ka, të mos e humbin akoma më shumë territorin që ka, dhe siç janë në dijeni edhe serbët vetë, ne do t’i kërkojmë kufijtë deri te Molla e Kuqe ku kanë qenë tokat shqiptare”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, koalicioni LVV-LDK duhet të jetë edhe një mësim i mirë për Listën Serbe, që ta dinë se lojërat me institucionet dhe shtetin e Kosovës nuk mundë të vazhdojnë më tutje.

“Kjo vlen edhe për Listën Serbe se tani vetëm nga këto dy parti shumica shqiptare si çdo herë, 57 deputet, e do të bëhen më shumë 6 deputet të koalicionit qeverisës pa Listën Serbë, shteti nuk do të varet nga vendimet e Listës, prandaj është në interesin e tyre që ti kthehen integrimit në realitetin e ri të shtetit të Kosovës. Unë dua të besoj dhe shpresoj se ka shpresë që me këtë qeveri do të ketë ndryshime pozitive në interes të qytetarëve të Kosovës, e jo siç ka qenë deri me tani i tërë instrumenti shtetërore, sistemi i drejtësisë dhe të gjitha agjencionet e ashtuquajtura të pavarura, kanë qenë në shërbim të pushtetarëve të inkriminuar me nëntokën kriminale që po e sundojnë Kosovën. Është koha e fundit që të fillon ç’kapja e shtetit, fillimi i depolitizimit të institucioneve të pa varura, dhe çlirimi i sistemit të drejtësisë nga prangat e politikës”, përfundon Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)