Berisha: Jam i lumtur që mandatin po ia dorëzoj shokut të luftës

  • 05 February 2020 - 11:22
Berisha: Jam i lumtur që mandatin po ia dorëzoj shokut të luftës

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, para se t’i dorëzojë detyrën ministrit të zgjedhur Anton Quni, i ka thënë KosovaPress-it se është i lumtur që pasardhësi i tij do të jetë një bashkëluftëtar dhe mik i tij.

Berisha, i cili është ministri i parë i Mbrojtjes, pasi FSK hyri në fazën e tranzicionit ku Ministria e FSK-së u transformua në atë të Mbrojtjes, tha se Forcën po e lë me mandat të ri, atë ushtarak.

Ai u shpreh i bindur se Quni do të vazhdojë sukseset e filluara në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK.

“E kam pas fatin të njoh Anton Qunin edhe në fazën e luftës në Betejën e Koshares, ka qenë komandant i batalionit por edhe shef i shtabit pas rënies së heroit Agim Ramadani. Kam besim të plotë se ai do të vazhdojë me sukseset të cilat i kemi filluar. Unë jam shumë i lumtur që Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ministrinë e Mbrojtjes, po e lë me një mandat të ri, me mandat ushtarak”, deklaroi Berisha.

Ai tha se pas shpalljes së pavarësisë nuk ka arritje tjetër më të madhe sesa transformimi i FSK-së.

Por sipas tij, Forca ka nevojë t’i rrisë kapacitetet dhe t’i mirëmbajë ato që i ka tashmë të arritura, në mënyrë që të jetë forcë që të kontribuojë për paqe ne Kosovë dhe rajon.

“Jam shumë krenar që pasardhësi im do të jetë shoku im i luftës, bashkëluftëtar i imi dhe kam besim të plotë që do të vazhdojë me realizimin e synimeve, objektivave që i mirëpresin qytetarët e Kosovës”, tha Berisha.

Rrustem Berisha sot i dorëzon detyrën zyrtarisht ministrit të zgjedhur Anton Quni nga radhët e LDK-së në qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)