Gruaja e infektuar me ‘koronavirus’ ikën nga spitali, alarmohet policia në Austri

  • 05 shkurt 2020 - 13:57
Gruaja e infektuar me ‘koronavirus’ ikën nga spitali, alarmohet policia në Austri

Një grua 31-vjeçare iku nga Spitali i Salzburgut në Austri, ku kishte qenë e izoluar për disa ditë me radhë sepse mjekët dyshuan se ajo ishte infektuar nga ‘koronavirusi’ apo i njohur ndryshe si virusi kinez.

Të martën gruaja erdhi vullnetarisht në Qendrën Mjekësore Universitare të Salzburgut afër kufirit gjerman. Megjithatë, 31-vjeçarja u zhduk nga dhoma e saj brenda natës, raportojnë mediat austriake.

Një operacion i madh kërkimi filloi nga policia për gjetjen e saj. 

Gruaja kishte udhëtuar nga Tajvani në Zelandën e Re më 7 janar, përpara se të shkonte përsëri në Austri më 26 janar.

Ajo kishte përjetuar probleme të frymëmarrjes gjatë fluturimit. Një ambulancë e pajisur posaçërisht për të trajtuar infeksionet, e dërgoi gruan në Spitalin Universitar.

Shtrati i pacientes u gjet bosh rreth orës 3 të mëngjesit të kohës lokale, kur një infermiere shkoi ta kontrollonte.

Policia, drejtoria mjekësore shtetërore dhe departamenti i shëndetësisë së qytetit ishin të informuar të gjithë rreth këtij rasti.

Ndryshe, ky nuk është rasti i vetëm i ‘koronavirusit’ në Austri.

Në fund të janarit një çift nga Salzburg u vendosën në izolim pasi u kthyen nga Shanghai me vështirësi në frymëmarrje.

Në Vjenë 500 shtretër janë caktuar për njerëzit me sëmundje, me 200 të tjera në dispozicion në spitale private nëse është e nevojshme.

(Kosova Sot Online)