Koronavirusi mund të transmetohet nga nëna te fetusi

  • 05 February 2020 - 14:44
Koronavirusi mund të transmetohet nga nëna te fetusi

Mjekët besojnë se koronavirusi ka mundësi të transmetohet edhe nga nëna te fetusi, sepse testet treguan që një foshnjë e porsalindur ishte e infektuar me këtë virus vetëm 30 orë pas lindjes.

Ky rast erdhi në kohën kur pasagjerët në një anije japoneze u vendosën në karantinë pasi 10 prej tyre ishin të infektuar me koronavirus. Më shumë se 3700 persona janë izoluar, ndërsa në mesin e tyre ka edhe qytetarë britanikë.

Qindra persona të tjerë po mbahen të izoluar në një anije tjetër në ujërat e Hong Kongut. Shifra e të vdekurve nga virusi ka shkuar në mbi 490. Numri më i madh i viktimave është shënuar në provincën Hubei.

Në anën tjetër, autoritetet shëndetësore ruse kanë thënë se puna për zbulimin e një vaksine efektive kundër virusit të rrezikshëm mund t’i marrë deri në 10 muaj.

Britania e Madhe dje kërkoi nga qytetarët e vet që ndodhen në Kinë që të largohen nga ky shtet, nëse kanë mundësi, sepse sigurimi i fluturimeve në ditët në vijim mund të jetë më i vështirë për shkak të anulimit të tyre nga shumë kompani ajrore, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)