Apostolova as nuk e kundërshton e as nuk e mbështet reciprocitetin ndaj Serbisë

  • 05 February 2020 - 15:23
Apostolova as nuk e kundërshton e as nuk e mbështet reciprocitetin ndaj Serbisë

Shefja e zyrës së BE-së, në Kosovë, Nataliya Apostolova ka folur pas takimit me të parin e Qeverisë, Albin Kurtin, për paralajmërimin se masa 100 për qind do të hiqet dhe do të vazhdohet me reciprocitet me Serbinë.

Para mediave, Apostolova ka folur edhe për vështirësitë e krijimit të koalicionit LDK – LVV.

“U desh pak kohë për krijimin e kësaj qeverie, në shumë raste ne si partnerë ndërkombëtare kemi theksuar sa me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri ekzekutive sepse pa një partner të tillë në vendet ku jemi të vendosura nuk mund ti përmbushim detyrimet që i kemi marrë përsipër”, tha përfaqësuesja e BE-së në Kosovë.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë gjithmonë Kosovë, teksa, ka bërë të ditur se duan që të punojnë më ministra të përgjegjshëm.

“BE gjithmonë do të ndihmojë Kosovën. Ne duam ta shohim një qeveri të përgjegjshëm dhe ministra të dijshëm që do të jenë partnerë tanë, prioritetet tona janë natyrisht sundimi i së drejtës, arsimi, ndërtimi i shtetit, institucione të forta, administratë e fortë publike, duam që të shohim këto projekte që janë në linjë që mjedisi në Kosovë të përmirësohet, që Kosova të avancojë në partneritet evropian”, shtoi ajo.

Apostolova tha se dihet qëndrimi i BE-së, karshi taksës. Sa i përket reciprocitetit, ajo ka thënë se është herët që të komentohet, pasi që po presin nga Qeveria e re që t’i japin zgjidhje kësaj çështje që të vazhdohet me dialog.

“Bashkimi Evropian deri në nivelet më të larta të udhheqësisë ka shprehur mendimin e vet, konsiderojmë se taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e tjera që është Kosova, kemi dërguar letra në këtë drejtim, tani po presim që Qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojnë këtë çështje, nuk dëshirojmë që të parashohim se cila do të jetë zgjidhja, vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për në dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të fillojë”, deklaroi Apostolova.

(Kosova Sot Online)