A është këtu kandidati për kryetar të Podujevës?

  • 05 February 2020 - 15:45
A është këtu kandidati për kryetar të Podujevës?

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka pritur sot në zyrën e tij deputetin e LDK’së, Ekrem Hysenin dhe anëtarin e kryesisë, Fidan Rekaliun, ish-deputet në legjislaturën e kaluar. Të dy vijnë nga dega e LDK’së në Podujevë.

Veliu mysafirët e parë i ka pasur nga qyteti të cilin e ka udhëhequr për shumë vjet, para se ta linte për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

Nënkryetari i LDK’së ka takuar dy prej zyrtarëve, njëri prej të cilëve është anëtar i kryesisë, e tjetri është zgjedhur deputet.

Rekaliu ka publikuar një fotografi, në të cilën tregon për vizitën në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Bashkë me deputetin Dr.Ekrem Hyseni, vizituam Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu. I uruam suksese në përgjegjësitë e reja që ai i ka marrë në të mirë të qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës. Besojmë shumë, që zotëri Veliu, sikurse gjithmonë në të kaluarën, do të shënojë suksese të jashtëzakonshme në këtë dikaster të rëndësishëm për vendin. Bashkë do të jemi në sfidat dhe fitoret e radhës”, ka shkruar ish-deputeti. 

Media ka provuar të kontaktojë të dy zyrtarët e LDK’së për të pyetur nëse në këtë takim u bisedua edhe për kandidatin për kryetar të Podujevës, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Podujeva do të shkojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërsa LDK, e cila e konsideron këtë qytet bastion të saj, nuk është deklaruar akoma për kandidatin e saj.

(Kosova Sot Online)