Konjufca në takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë

  • 05 February 2020 - 20:30
Konjufca në takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë

Ministri i punëve të jashtme, Glauk Konjufca, u takua me ambasadorin e Italisë në Prishtinë, z. Nicola Orlando. Gjithashtu, Konjufca u takua edhe me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, z.Christian Heldt.

Gjatë bisedës mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, ministri Konjufca përsëriti se qytetarët e Republikës së Kosovës më 6 tetor 2019 votuan për ndryshimin dhe se qeveria e re është krijuar për të ofruar këtë ndryshim.

Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ministri Konjufca vuri në dukje nevojën për të bërë evoluimin e tërësishëm të dialogut të deritanishëm në mënyrë që të ndërtohet një konsensus i gjithmbarshëm politik dhe institucional brenda Kosovës. Në këtë takim, miqësor, u bisedua edhe për thellimin e raporteve bilaterale dhe nënshkrimin sa më shpejtë të marrëveshjeve të rëndësishme në segmentin e bashkëpunimit të sigurisë dhe të tjera marrëveshjeve me interes për qytetarët e të dyja vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, sot gjithashtu priti në takim edhe ambasadorin gjerman në Prishtinë, z.Christian Heldt.

Ministri Konjufca dhe ambasadori gjerman Heldt, në takimin e tyre të parë, u zotuan se do të ketë vazhdimësi të raporteve të mira bilaterale dhe dinamikë të shtuar në të gjitha proceset në vazhdim.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për shumë tema me interes të përbashkët për Kosovën dhe Gjermaninë, si dhe shprehen gatishmërinë për adresimin e tyre dhe intensifikimin e bashkëpunimit, sidomos në fushat profesionale, bilaterale dhe nderkombetare.

(Kosova Sot Online)