“Kryesia do të mblidhet çdo të hënë, seanca do të ketë çdo javë, do t’i kemi 14 komisione”

  • 06 February 2020 - 12:02
“Kryesia do të mblidhet çdo të hënë, seanca do të ketë çdo javë, do t’i kemi 14 komisione”

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas takimit të parë me kryesinë e Kuvendit ka deklaruar se janë dakorduar që të ketë 14 komisione parlamentare që do të mbikëqyrin 15 ministritë.

“Ne kemi një rregullore të Kuvendit që parasheh 16 komisione, që janë ndarë në përputhje me ndarjen e ministrive, me qenë se kemi një zvogëlim të numrit të ministrive, është dashtë që edhe komisionet të përshtaten, u pajtuam që kemi 14 komisioni që do të mbikëqyrin ministritë, u pajtuam edhe që në mbledhjen e radhës që mbahet të hënën ta votojmë edhe formulën e ndarjes së komisioneve, sepse do të presim zëvendësimin e disa deputetëve, 4 grupe parlamentare presin që të zëvendësohen deputetët e rijnë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se kanë trajtuar në mbledhjen e sotme disa çështje teknike, e se kanë vendosur që të punojnë drejt funksionalizimit të hapësirave të punës, brenda Kuvendit, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë qasje.

“I kemi trajtuar edhe disa çështjeve teknike, që kanë të bëjnë me funksionalizimin e disa bordeve, do t’i dërgojmë kërkesë qeverisë që të vijnë me propozime të reja. Kemi trajtuar edhe çështje që kanë të bëjnë me funksionalizimin e hapësirave të punës, në veçanti për të bërë të gjitha hapësirat e Kuvendit të qasshme për personat me nevoja të veçanta jo sepse kemi një deputet që ka nevojë të ketë qasje në të gjitha hapësirat e kuvendit, por në mënyrë që ky kuvend si tempull i demokracisë të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët. 

Do të kërkohet pak investim por është e nevojshme që të gjithë të ndihen të barabartë. E kishim një lloj dakordimi që për dallim nga e kaluara kur seancat mbaheshin rrallë që ne çdo të hënë të mbajmë mbledhje të kryesisë dhe çdo të enjte të kemi mbledhje të kuvendit, seanca plenare, të kemi më pak pika të rendit të ditës, pastaj kemi më shumë koncentrim dhe kontribut nga ana e deputetëve”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se janë dakorduar që çdo të hënë të mbajnë mbledhje të kryesisë, në mënyrë që çdo të enjte të mbahen seanca plenare.

“Sa përket buxhetit neve na është dërguar një letër nga ana e thesarit brenda Ministrisë së Financave për të na njoftuar se së shpejti do të kemi kërkesën për zgjatje buxhetore qoftë buxhetin në tërësi, shpresoj që deri të hënës ta kemi këtë kërkesë specifike nga ana e qeverisë, që në seancën e ardhshme që shpresoj të jetë të enjten që vjen do ta trajtojmë vetëm kërkesën për zgjatje buxhetore për muajin mars, apo buxhetin në tërësi, do të varet nga vendimi i qeverisë që merret këto dy ditë. Të gjithë anëtarëve të kryesisë ju shpreha dëshirën time që të bashkëpunojmë në të mirë të interesave të qytetarëve në mënyrë që të kemi punë sa më efektive”, deklaroi kryeparlamentarja.

(Kosova Sot Online)