Operacioni “Ryshfeti’, pas zyrtarëve policorë arrestohet edhe një afarist nga Kaçaniku

  • 06 February 2020 - 12:07
Operacioni “Ryshfeti’, pas zyrtarëve policorë arrestohet edhe një afarist nga Kaçaniku

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një qytetar nga Kaçaniku i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë korrupsioni për të cilën janë arrestuar edhe tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe një zyrtar i Ministrisë së punëve të Brendshme.

Arrestimin e afaristit nga Kaçaniku  e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës. Bëhet fjalë për të dyshuarin me inicialet L.B viti i lindjes 1980.

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë orëve të vona të së mërkurës ka vënë nën pranga tre të dyshuar pas operacionit të emëruar si “Ryshfeti”.

Ky aksion kishte filluar pas disa informacioneve që kishte marrë IPK’ja e sipas të cilave dyshohet se dy zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit mund të jenë përfshirë në aktivitetet të kundërligjshme.

Lidhur me këtë operacion në një konferencë për media janë dhënë detaje edhe nga Policia e Kosovës.

Dy hetuesit e krimeve ekonomike, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit dhe korrupsion. 

Aksioni ka vazhduar edhe sot, ku nën pranga është vënë  edhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Një gjë të tillë në konferencë për media e ka konfirmuar Drejtori i departamentit të Hetimeve, Riza Shillova.

 “Është arrestuar një zyrtarë i lartë në ministrinë e Punëve të Brendshme. I dyshuar për aktivitete kriminale. Fatkeqësisht ka rezultuar qe në këtë punë të jenë të përfshirë edhe zyrtarë policor. Përpos tyre ne kemi të arrestuar edhe një qytetarë nga Kaçaniku. Zyrtari i lartë i MPB’së ka qenë nën hetim për një kohë të gjatë. Ndaj të njëjtit është ushtruar edhe kallëzim Penal”, ka deklaruar Shillova.

(Kosova Sot Online)