Hetuesi i arrestuar njihej për shkelje të ndryshme në Polici

  • 06 February 2020 - 14:17
Hetuesi i arrestuar njihej për shkelje të ndryshme në Polici

Hetuesi i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani, i cili ka lidhje familjare me shefin e Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiu, njihej për shkelje të ndryshme brenda Policisë.

Këtë e ka bërë të ditur në konferencën për media të mbajtur nga Policia, drejtori i Hetimeve, Riza Shillova.

Shillova deklaroi se për Osmanin është kërkuar transferim dhe ulje në pagë.

“Zyrtari L.O është i njohur për aktivitete dhe shkelje të ndryshme brenda policisë. Sot mora informacion se i njëjti është kërkuar që të transferohet dhe të ketë ulje në pagë. Në janar kemi marrë rekomandim”, ka thënë Shillova.

Për këtë transferim të Osmanit, Shillova ka thënë se në janar kanë marrë rekomandim dhe është pritur vetëm vendimi për transfer.

Hetuesi i lartë i Krimeve Ekonomike, Lavdim Osmani është arrestuar në mbrëmjen e djeshme nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Përveç Osmanit, i cili dyshohet se ka marrë ryshfet 1,450 euro, mbrëmjen e djeshme është arrestuar edhe një hetues tjetër i Krimeve Ekonomike. Bëhet fjalë për Lutfi Menxhiqin.

Ndërsa sot është bërë e ditur që janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, një zyrtar i lartë i MPB-së, një rreshter dhe një qytetar nga Kaçaniku për pjesëmarrje në aktivitete kriminale.

(Kosova Sot Online)