Biznesmeni që premtoi 50 milionë euro investime nëse fiton Kurti s’po lajmërohet

  • 06 February 2020 - 17:54
Biznesmeni që premtoi 50 milionë euro investime nëse fiton Kurti s’po lajmërohet

Gjashtë ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit, një biznesmen kosovar që jeton e punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri një premtim interesant. Gazmend Gjonbalaj tha se do të investonte 50 milionë euro në Kosovë, nëse partia e shokut të tij, Albin Kurtit, do të dilte e para në zgjedhje. Por, tash kur kanë kaluar rreth katër muaj nga ajo ditë, e Kurti është bërë kryeministër, Gjonbalaj nuk është bërë më i gjallë.

Ishte 30 shtatori i vitit 2019, kur menaxheri i shumë ndërmarrjeve të njohura, Gazmend Gjonbalaj, i kishte dalë në mbështetje Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurtit.

Në videon e publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Gjonbalaj premtonte se nëse Vetëvendosja e Kurtit i fiton zgjedhjet, ai do të kthehej në Kosovë e do të investonte 50 milionë euro.

“Kjo është mundësia e fundit që Kosova të qeveriset pa korrupsion e shantazhe. Diaspora është e gatshme të ndihmoj zhvillimin e vendit. Voto për ardhmërinë që e donë. Me #6tetor unë do votoj për Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe mikun tim Albin Kurti. #ErdhiDita për ndryshime!”, kishte shkruar ai.

Pas premtimit të Gjonbalajt, kishte reaguar edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai duke shpërndarë këtë video, kishte thënë se do të bëjnë çmos që të kthejnë trurin në atdhe.

“M’u bë shumë kohë pa u parë me Gazin. Fitorja jonë e risjell atë në Kosovë. Do të bëjmë çmos ta kthejmë trurin në atdhe”, kishte shkruar Kurti.

Por, tash kur kanë kaluar rreth katër muaj nga ajo ditë, e Kurti është bërë Kryeministër i Kosovës, Gjonbalaj është “zhdukur”. Milionat që premtoi duket se janë harruar.

Postimi i tij i vetëm pas zgjedhjeve, ka qenë ai në ditën kur Albin Kurti u zgjodh Kryeministër i Kosovë.

“Kosovë, urime zgjedhjen e qeverisë së re! Jam i entuziazmuar me kapitullin e ri të Kosovës, si dhe për mua personalisht. ë”, kishte shkruar ai.

Media e ka pyetur Gjonbalajn nëse do ta mbajë premtimin dhe do t’i investojë 50 milionë euro në Kosovë, por ai nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Njëjtë kanë vepruar edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë parti kanë thënë se pyetjet duhet t’i drejtohen Gjonbalajt.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

E para në këto zgjedhje doli partia e Albin Kurtit, pasuar nga ajo e Isa Mustafës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim .

(Kosova Sot Online)