Si pritet të jetë moti në Kosovë gjatë të premtes dhe të shtunës?

  • 06 February 2020 - 18:48
Si pritet të jetë moti në Kosovë gjatë të premtes dhe të shtunës?

Fusha të presionit të lartë nga Evropa Perëndimore gradualisht po shtrihen mbi rajonin tonë, që gjatë fundjavës do të sjellin kthjellime dhe intervale të gjata me diell, bën të ditur Prishtina Weather.

Por, sipas shërbimit të meteorologjisë, ditën e premte një front i ftohtë nga verilindja e kontinentit do të kalojë në lindje të rajonit, që pritet të sjellë mundësi për reshje të dobëta bore kryesisht përreth viseve malore, e vonë në mbrëmje reshje të dobëta bore mund të bien edhe nga rrafshi i Kosovës.

“Në aspektin termik vendi ynë mbetet nën masa të ftohta ajrore, mirëpo temperaturat maksimale gjatë ditës do të shënojnë rritje. Vlerat e cilësisë së ajrit do të luhaten përreth vlerave mesatare, e kohë pas kohe pritet të rriten edhe në të pashëndetshme”, paralajmëron PW.

Parashikimi për 7-8 shkurt:

7.02.2020 – Mot i ftohtë, kryesisht me vranësira. Në mëngjes ngrica. Përreth viseve malore mundësi për reshje të dobëta bore. Vonë në mbrëmje mundësi për reshje të dobëta bore edhe në vise të ulëta, kryesisht nga rrafshi i Kosovës. Do të fryjë erë mesatare nga veriperëndimi 2-9m/s. Indeksi UV: 2.

8.02.2020 – Në mëngjes pjesërisht vranët. Gjatë ditës kthjellët dhe me diell. Erë e lehtë dhe mesatare nga lindja dhe verilindja 1-5m/s. Indeksi UV: 2.


(Kosova Sot Online)