I riu me maskë dhe thikë i futet në shtëpi, vodhi bizhuteritë në Bathore

  • 07 February 2020 - 11:05
I riu me maskë dhe thikë i futet në shtëpi, vodhi bizhuteritë në Bathore

Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e grabitjes me dhunë në një banesë në Bathore.

A.M, 25 vjeç, banues në lagjen nr.4 në Bathore, kishte hyrë në shtëpinë e shtetasit H.H, dhe nën kërcënimin e thikës i kishte vjedhur paratë dhe disa bizhuteri.

Sipas raportimeve të policisë autori 25 vjeçar ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje, ndërsa është arrestuar pak orë pas vjedhjes.

Mësohet se policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura në banesën e shtetasit H.H.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, me akuzën e “Vjedhjes me dhunë”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 15 vite burg.

Njoftimi i policisë:

“Kamëz, Tiranë

Finalizohet operacioni policor “Bërzhita”.

Zbardhet pas disa orësh vjedhja me dhunë në një banesë në Bathore.

Vihet në pranga autori i vjedhjes.

Gjenden dhe sekuestrohen bizhuteritë dhe lekët që autori vodhi në banesë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5, pas njoftimit të marrë se në Bathore, në rrugën “Bërzhitë”, rreth orës 10:50 të paradites së datës 06.02.2020, në banesën e shtetasit H.H., kishte hyrë një person i maksuar dhe nën kërcënimin e thikës kishte vjedhur lekë dhe disa bizhuteri, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i reagimit në kohë, informacioneve të marra në rrugë operative dhe një pune profesionale me veprime të shpejta proaktive u bë e mundur që brenda pak orëve të identifikohej personi i dyshuar si autor i kësaj ngjarjeje.

Në këtë kuadër u organizua operacioni policor i koduar “Bërzhita”, duke u finalizuar me kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

 A. M., 25 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Bathore, Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.

Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të sendeve të vjedhura nga autori në banesën e shtetasit H. H.

Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor, në ngarkim të shtetasit A. M., për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 15 vjet burgim”.

(Kosova Sot Online)