Lejet ndërtimore te Badovci, profesori i njohur hedh akuza të rënda ndaj Shpend Ahmetit

  • 07 February 2020 - 13:04
Lejet ndërtimore te Badovci, profesori i njohur hedh akuza të rënda ndaj Shpend Ahmetit

“Është jo logjike që të mos përgjigjet drejtpërdrejtë Ministri kompetent në MPH (Fatmir Matoshi), dhe vetë Kryetari i Komunës(Shpend Ahmeti. Është e pa mundur që kjo çështje kaq e madhe dhe me vlerë të lartë ta kalon nëpër zyre të këtyre dy organeve dhe udhëheqësit e këtyre, si Ministri, ashtu edhe Kryetari, mos të informohen dhe të vendosin vetë. Këtu nuk ka dilemë”, thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e ka përshëndetur dhe mirëpritur paraqitjen e Kallëzimit Penal, të cilin Organizatat e Shoqërisë Civile kanë dorëzuan të premten në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badovcit.

Kelmendi thekson se nëse hetimi zhvillohet si duhet, atëherë është e sigurt që zinxhiri i abuzimit me ligjin do të del përtej kësaj Ministrie, dhe do t’i nxjerr përgjegjës edhe zyrtarët e Komunës së Prishtinës pa përjashtim, duke përfshirë edhe kryetarin Shpend Ahmeti.

Mirëpo, duke u nisur nga praktika e deritanishme e mungesës së guximit dhe vullnetit për tu ballafaquar me krimin dhe korrupsionin, Kelmendi nuk beson që dikush do të ndiqet dhe dënohet për këtë rast.

Image
Muhamet Kelmendi

“Është shumë e pranuar që Shoqëria civile ka ngritur kallëzim penal në prokurori kundër atyre të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe kundër organeve e njerëzve kompetent në komunë për aktin makabër në drejtim të shkatërrimit të Liqenit të Badovcit. Në fakt këtu nuk ka as çka të diskutohet. Vepra penale është e qartë. Kërkohen vetëm nënshkruesit e dokumentit mbi lejimin e ndërtimit dhe të akuzohen në Gjykatë për vepër penale kundër natyrës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për krim të organizuar”, thotë profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kelmendi shton se nga vepra penale në këtë rast, nuk mundë të përjashtohet as Komuna, zyrtarët përkatës dhe as ministria.

“Për mua janë realisht këtu tri vepra penale të kryera nga këto dy organe shtetërore. E prokuroria duhet ti vërtetoj me prova e dëshmi dhe ti gjej përgjegjësit për të ngritur padi. E gjetja e tyre është e thjeshtë. Organi që ka lëshuar lejen ekziston. Ajo është nënshkruar nga ndonjë zyrtar dhe këtu është çdo gjë e qartë. Por, nuk mendoj se padia duhet të ngritët vetëm kundër tyre. Është jo logjike që të mos përgjigjet drejtpërdrejtë Ministri kompetent në MPH (Fatmir Matoshi), dhe vetë Kryetari i Komunës (Shpend Ahmeti). Është e pa mundur që kjo çështje kaq e madhe dhe me vlerë të lartë ta kalon nëpër zyre të këtyre dy organeve dhe udhëheqësit e këtyre, si Ministri, ashtu edhe Kryetari, mos të informohen dhe të vendosin vetë. Këtu nuk ka dilemë”, shprehet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E sa për kryetarin Shpend Ahmeti, sipas Kelmendit ka një mal faktesh edhe për raste të tjera.

“Aq më tepër kur Prishtina është e njohur si komunë që pas luftës ka kryer shumë veprime antiligjore. Të përkujtojmë banesat e ngritura për komunarët, duke filluar nga kryetari e tutje, lejet e lëshuar pa plane mbi interesa fitimprurëse etj. Këtë e dokumenton edhe pjesa e re e qytetit në Lagjen e Spitalit etj. Tani se çka është bërë dhe si janë ndërtuar veç po shihet. Kemi thjeshtë ndërtesa mbi ndërtesa, sikurse kërpudhat, pa asnjë përgjegjësi. Mjafton kjo si bazë që prokuroria të hapi hetimet për vepër penale. Por, si do të shkon, dihet. Nuk ka asnjë përgjegjësi. Ata do të kalojnë pa përgjigje penale. Kjo sepse prokuroria po dështon së bashku me gjykatat në implementimin e ligjeve dhe në dënimin e shkelëseve, por megjithatë le të presim”, përfundon Kelmendi për “Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online)