Kadriu kërkon përkrahjen e Lutfi Hazirit për të mos e ndalur autostradën e Gjilanit

  • 07 February 2020 - 17:19
Kadriu kërkon përkrahjen e Lutfi Hazirit për të mos e ndalur autostradën e Gjilanit

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në qeverinë Haradinaj, Rexhep Kadriu i ka bërë thirrje ministrit Lumir Abdixhiku që të mos ndërprejë procedurat për ndërtimin e autostradës së Gjilanit.

Kadriu ka shkruar në Facebook se Anamorava e ka bërë Abdixhikun Ministër.

“Lumir, Anamorava të bani ministër, mos e nguc. Mbi 30 mijë vota nga Gjilani për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe si shpërblim për këtë mbështetje po duan me e ndalë autostradën “Agim Ramadani”, segmeni Bresalc – Dheu i Bardhë”, ka shkruar Kadriu.

Kadriu ka thënë se Abdixhiku i cili vjen nga Lugina e Preshevës ka deklaruar se do t’i ndalë procedurat e autostradës që lidh Anamoravën me Luginën e Preshevës. 

“Sot, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, njeriu që vjen nga Lugina e Preshevës, deklaron se do ti ndal procedurat e tenderimit të këtij projekti i cili u nis pas 20 vjetve dhe që lidhë shqiptarët mes vete, gjegjësisht Kosovën me Luginën”, ka thënë ai.

Tutje, ish-zëvendësministri është shprehur se së bashku me qytetarët e Gjilanit do ta mbrojnë këtë projekt dhe ka kërkuar mbështetje edhe nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Mbetem shumë i vendosur që bashkë me qytetarët e Gjilanit ti mbrojmë të gjitha projektet e filluara dhe ato të planifikuara nga qeveria Haradinaj, e cila për herë të parë ktheu vëmendjen e pushtetit qëndror kah Anamorava. Pres mbështetjen edhe te kreut të Komunës, Lutfi Haziri, në mënyrë që këto projekte të aprovohen në buxhetin e 2020-së”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)