Moti i keq përfshin Europën, shumë zona të bllokuara e pa energji elektrike

  • 07 February 2020 - 18:59
Moti i keq përfshin Europën, shumë zona të bllokuara e pa energji elektrike

Moti i keq ka përfshirë Evropën duke shkaktuar disa viktima dhe shumë zona kanë mbetur të bllokuara dhe pa energji elektrike.

Një burrë i moshuar ka ndërruar jetë në makinën e tij të bllokuar në dëborë në Serbi, ndërsa rrufeja dhe erërat e forta lanë fshatra dhe rrugë të bllokuara për shkak të motit të keq në Evropën qendrore dhe lindore.

Policia serbe tha të enjten se gjeti trupin e të moshuarit ndërsa shpëtoi rreth 20 njerëz, përfshirë pesë fëmijë, nga makinat e tyre të bllokuara në një rrugë në jugperëndim të Serbisë. 

Në jug të Serbisë, komuna e largët Crna Trava shpalli masa emergjente pasi dëbora la rreth 800 njerëz të bllokuar, thanë autoritetet. Stuhitë e borës të shkaktuara nga erërat e forta kanë bllokuar rrugët dhe shtëpitë në zonë.

Ndërkohë në Bosnje, fshatrat në lindje të vendit mbetën pa energji elektrike ditën e enjte, ndërsa furnizimet me ujë u ndërprenë në qytetin e Sokolac. Rrugët lokale gjithashtu janë bllokuar.

Një fëmijë ndërroi jetë në Sllovaki pasi një tabelë sinjalistike ra mbi të, ndërsa një burrë vdiq në Republikën Çeke kur një pemë goditi makinën e tij.

Policia kroate tha të enjten se ata kishin kryer më shumë se 100 ndërhyrje në të gjithë vendin për shkak të pemëve të rrëzuara dhe çative të dëmtuara, makinave ose furnizimit me energji elektrike.

Rumania raportoi gjithashtu një natë me erëra të forta. Një autostradë lindore mbeti e mbyllur të enjten, një numër fshatrash kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa pemë të shumta u rrëzuan.

(Kosova Sot Online)