Sot vendoset për kohëzgjatjen e fushatës për zgjedhjet në Podujevë

  • 08 February 2020 - 08:16
Sot vendoset për kohëzgjatjen e fushatës për zgjedhjet në Podujevë

Komisioni Qendror Zgjedhor do të mblidhet sot për të marrë vendime për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë që do të mbahen me 15 mars.

Këtë e ka konfirmuar për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Elezi ka thënë se një nga vendimet do të jetë shkurtimi i afatave kohore të aktiviteteve zgjedhore.

“Gjatë ditës së shtunë do të mblidhet KQZ-ja dhe do të marrë disa vendime për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që do të mbahen më 15 mars 2020. – Një ndër vendimet e para do të jetë shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët që janë në dispozicion për organizimin e tyre”, ka thënë Elezi.

Elezi poashtu ka thënë se KQZ-ja në mbledhjen e sotme pritet të marrë vendim edhe për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

“Po ashtu, KQZ-ja pritet të miratojë planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet e këtij procesi zgjedhor. – Edhe sa i përket kohës se deri kur mund të paraqiten subjektet politike për të marrë pjesë në këto zgjedhje apo edhe sa do të jetë kohëzgjatja e fushatës zgjedhore, do ta dijmë në këtë mbledhje”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës janë caktuar të mbahen më 15 mars me vendim të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës u shpallën pasi Kryetari i Komunës, Agim Veliu dha dorëheqje nga ky post për ta marrë detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në qeverinë e re.

(Kosova Sot Online)