Kandidatët demokratë për president të ShBA-së përplasen në debat televiziv

  • 08 shkurt 2020 - 09:51
Kandidatët demokratë për president të ShBA-së përplasen në debat televiziv

Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike janë përplasur mes vete me fjalë gjatë një debati të tensionuar televiziv të premten në mbrëmje.

Më së shumti sulme u drejtuan ndaj kandidatëve Bernie Sanders dhe Pete Buttigieg, të cilët e shpallën fitoren në zgjedhjet e Iowa-s.

Në javën kur presidenti Trump u lirua nga akuzat në Kongres, kandidatët e moderuar të Partisë Demokratike i sfiduan progresistët.

Sanders u përball me kritika nga kundërkandidatët për shkak të përkrahjes që ia ka dhënë propozimit për sigurime shëndetësore, ndërsa kandidati Buttigieg u kritikua për mungesë të përvojës në politikë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

“Sa do të kushtojë? Kush do të paguajë për të”, e pyeti kandidati Joe Biden Sanders-in, përderisa e krahasoi planin e tij me atë të kundërkandidatit.

Debati i së premtes ishte një test i rëndësishëm për kandidatin Joe Biden, i cili vazhdimisht është cilësuar si favorit për ta fituar garën. Megjithatë, ai e zuri vetëm vendin e katërt në zgjedhjet e Iowa-s.

Biden tha se Sanders paraqet rrezik, sepse e ka përshkruar veten si socialist demokrat, ndërsa kandidati Buttigieg nuk ka dëshmuar se e ka përvojën e nevojshme për t’u bërë president.

(Kosova Sot Online)