Pesë britanikë infektohen me koronavirus në një qendër skijimi në Francë

  • 08 February 2020 - 14:56
Pesë britanikë infektohen me koronavirus në një qendër skijimi në Francë

Zyrtarët shëndetësorë në Francë njoftuan se pesë shtetas të Britanisë së Madhe janë infektuar me koronavirus gjatë qëndrimit në një qendër skijimi në Francë pasi kishin qëndruar në të njëjtën shtëpizë me një person që kishte qenë më parë në Singapor.

Këto raste u zbuluan pasi autoritetet filluan ta hetojnë rrugëtimin e një burri britanik, i cili para disa ditëve u diagnostikua me koronavirus, shkruan “Reuters”.

Ministrja franceze e shëndetësisë, Agnes Buzyn, tha se personat e infektuar, në mesin e të cilëve është edhe një fëmijë, nuk ndodhen në gjendje kritike.

Qendra e skijimit ku qëndruan personat e infektuar ndodhet afër qytetit zviceran të Gjenevës dhe afër majës më të lartë në Evropë, Mont Blanc.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe tha se vendi i tij është duke kërkuar të dhëna për rastet e reja të regjistruara në Francë dhe është i gatshëm ta ofrojë përkrahjen e nevojshme.

(Kosova Sot Online)