Irani sot lëshon satelit, ShBA-ja dyshon se ai lidhet me raketa

  • 09 February 2020 - 09:54
Irani sot lëshon satelit, ShBA-ja dyshon se ai lidhet me raketa

Një ministër iranian njoftoi se vendi i tij do ta lëshojë të dielën një satelit në hapësirë si pjesë e një programi të ri, për të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se është një maskë për zhvillimin e raketave balistike.

“Sateliti Zafar do të vendoset sot në orbitë nga qendra Semnan me një shpejtësi prej 7 mijë e 400 kilometrash”, tha ministri i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, Mohammad Javad Azari-Jahromi. 

Vitin e kaluar, Irani dështoi së paku dy herë gjatë lëshimit të satelitëve, shkruan “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara thonë se janë të shqetësuara që teknologjia me rreze të gjatë, e cila përdoret për lëshimin e satelitëve në hapësirë, mund të përdoret gjithashtu edhe për lëshimin e kokave bërthamore.

Megjithatë, Teherani ka mohuar se aktiviteti me satelitë është mbulesë për zhvillimin e raketave dhe ka thënë se asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim ndërtimin e armëve bërthamore.

Ministri Azari-Jahromi tha se fotografia e parë që do ta transmetojë sateliti i ri, kur të arrijë në orbitë, do të jetë portreti i komandantit të vrarë iranian, Qassem Soleimani.

(Kosova Sot Online)