Dita kur Fatmir Sejdiu u zgjedh president

  • 10 February 2020 - 08:34
Dita kur Fatmir Sejdiu u zgjedh president

Të premten e 10 shkurtit 2006, Fatmir Sejdiu mori postin e presidentit të Kosovës, me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, pas tri radhë të votimit.

Ai ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për të vazhduar mandatin e ish-kryetarit Ibrahim Rugova deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në seancën solemne të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit atëherë ishin të pranishëm 110 deputetë.

Por Sejdiu nuk mundi ta përfundonte mandatin e tij pesëvjeçar, ashtu siç është e paraparë me Kushtetutë, pasi më 27 shtator 2010 dha dorëheqje, pasi Kushtetuesja konstatoi se kishte bërë shkelje të rëndë kushtetuese duke mbajtur postin e presidentit dhe atë të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e bëri publik vendimin për dorëheqje gjatë një konference për media ku tha se postin e presidentit e kishte ushtruar me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si president i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur. Unë, tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë”, pati deklaruar Sejdiu.

Ai tha se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si institucioni më i lartë juridik.

Fatmir Sejdiu à «shtë lindur më 23 tetor 1951 në Pakashticë të Besianës, ndërsa eton në Prishtinë. Ka të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka gradën e Doktorit të Shkencave Juridike në po këtë universitet.

(Kosova Sot Online)