Kujdestarja britanike kapet nga kamera duke e keqtrajtuar djalin me autizëm

  • 10 February 2020 - 10:56
Kujdestarja britanike kapet nga kamera duke e keqtrajtuar djalin me autizëm

Një kujdestare që paguhej për t’u kujdesur për një djalë me autizëm është kapur nga kamera e fshehtë duke e keqtrajtuar personin e sëmurë. Ajo shihet duke e goditur në fytyrë dhe duke e tërhequr me forcë nga shtrati.

Peraline Baugh, 62-vjeçare, dyshohet se për disa muaj me radhë e ka keqtrajtuar djalin 20-vjeçar, Peter Evans, i cili vuan nga autizmi, epilepsia dhe nuk mund të flasë.

Muajin e kaluar, nëna e katër fëmijëve u dënua me katër muaj burgim pasi pranoi se e ka keqtrajtuar një person të sëmurë, shkruan “Metro UK”.

Pamjet e publikuara nga policia e dëshmojnë shkallën e keqtrajtimit të kryer nga e dënuara. Ajo ishte punësuar për t’u kujdesur për djalin gjatë natës pasi ai kishte probleme në gjumë.

Në pamjet e siguruara nga kamera e fshehtë, kujdestarja shihet duke e detyruar djalin që të qëndrojë pa lëvizur dhe në disa raste ia mbyll gojën me dorë.

Nëna e djalit tha se ishte zemërthyer kur i pa pamjet e kamerës. “Ajo që e pashë në video më shkatërroi mua. I besoja asaj dhe ajo ishte bërë si anëtare e familjes, por ajo thjesht ishte aktore e mirë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)