Arratiset nga burgu talibani që kishte tentuar ta vriste nobelisten Yousafzai

  • 10 February 2020 - 11:48
Arratiset nga burgu talibani që kishte tentuar ta vriste nobelisten Yousafzai

Një sulmues taliban, i cili kishte tentuar ta vriste fituesen e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, ka arritur të arratiset nga paraburgimi në Pakistan.

Ehsanullah Ehsan, i cili kishte hyrë në shkollën e Malala-s dhe e kishte qëlluar atë në kokë në vitin 2012, u paraqit në rrjetet sociale duke u mburrur që ka arritur të arratiset.

Ai pretendon se e ka arritur një marrëveshje me autoritetet pakistaneze pasi ishte arrestuar në vitin 2017. Sipas tij, ai tash e tutje do të qëndrojë në arrest shtëpiak, shkruan “Daily Mail”. 

Megjithatë, Ehsan tha se është larguar nga shtëpia për shkak se autoritetet pakistaneze nuk i kanë mbajtur premtimet e dhëna. Organet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë ndonjë koment në lidhje me këtë rast.

Ehsan, i njohur si Liaquat Ali, kishte tentuar ta vriste nobelisten, sepse ajo ishte bërë e njohur si aktiviste për mbrojtjen e shkollimit të vajzave.

Arratisja e sulmuesit të saj pritet të jetë goditje e rëndë për autoritetet pakistaneze, të cilat edhe më parë janë akuzuar për lidhje të dyshimta me organizatat terroriste.

(Kosova Sot Online)