Rreth 30 të vrarë për një ditë nga bombardimet në Siri

  • 10 February 2020 - 12:39
Rreth 30 të vrarë për një ditë nga bombardimet në Siri

Një vëzhgues i luftës ka njoftuar se 29 persona janë vrarë gjatë bombardimeve të forcave qeveritare siriane dhe ushtrisë ruse në bastionin e fundit të rebelëve.

Gjashtë fëmijë ishin në mesin e nëntë civilëve të vrarë në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në fshatin Abin Semaan të provincës së Aleppo-s. Atje, forcat e regjimit sirian, të përkrahura nga Rusia, po e zhvillojnë një ofensivë të ashpër për ta rimarrë nën kontroll një autostradë të rëndësishme.

Sulmet e fundit ajrore erdhën pas një nate me bombardime të rënda nga forcat ruse dhe regjimi, gjatë të cilave u vranë së paku 20 civilë në provincat fqinje të Idlib-it dhe Aleppo-s.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, forcat qeveritare siriane dhe ushtria ruse e kanë nisur një sulm të gjerë kundër rebelëve në pjesën veriperëndimore të Sirisë. 

Më shumë se 350 civilë janë vrarë dhe rreth 586 mijë të tjerë janë detyruar të shpërngulen afër kufirit me Turqinë për shkak të kësaj dhune, shkruan “France24”.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë bërë thirrje për ndërprerje të luftimeve, duke paralajmëruar se bombardimet mund të shkaktojnë krizë të rëndë humanitare.

(Kosova Sot Online)