Në Shtetet e Bashkuara regjistrohet era me shpejtësi prej 336 kilometrash në orë

  • 10 February 2020 - 14:18
Në Shtetet e Bashkuara regjistrohet era me shpejtësi prej 336 kilometrash në orë

Një erë me shpejtësi prej 336 kilometrash në orë është regjistruar në një majë mali të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara. Kjo shifër i habiti meteorologët që po i përcillnin karakteristikat e kësaj stuhie.

Era me shpejtësi të jashtëzakonshme u regjistrua rreth orës 7 e 45 minuta të së dielës në lartësi mbidetare prej 2800 metrave në malin Kirkwood, njoftoi meteorologu Alex Hoon nga Shërbimi Kombëtar i Motit.

“Shpejtësia e erës vazhdonte të rritej. Sigurisht, ishte moment mahnitës”, tha ai, duke shtuar se vërtetimi i kësaj shpejtësie nga klimatologët mund të marrë kohë të gjatë, shkruan “Fox News”.

Rekordi i kaluar i erës me shpejtësinë më të lartë ishte shënuar më 16 nëntor të vitit 2017, kur në malin Ward ishte regjistruar era me shpejtësi prej 320 kilometrash në orë.

Stuhia që shkaktoi vërshime javën e kaluar në Uashington dhe Oregon e solli edhe një erë të ftohtë në Kaliforni, por jo edhe shumë reshje të shiut apo të borës.

(Kosova Sot Online)