Skenari me Serbinë: Albin Kurti e ‘përjashton’ Hashim Thaçin

  • 11 February 2020 - 07:38
Skenari me Serbinë: Albin Kurti e ‘përjashton’ Hashim Thaçin

“Thaçi jo vetëm se nuk duhet të jetë në krye të bisedimeve por ai duhet të përgjigjet para Ligjit Kushtetues për atë se përse ai ka shkelur Kushtetutën duke qenë krye negociator për shumë bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri tani, gjë e cila përbën dhe shkelje konstitucionale dhe që për këtë duhet të përgjigjet para ligjit. Madje para Ligjit duhet të përgjigjet edhe si bashkë autor i tentativës për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, dhe as që duhet të bëhet fjalë që ai të pyetet më tutje për bisedimet”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti duke folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se nuk do të ketë një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti.

"Unë do ta udhëheq ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga pranvera e vitit të shkuar, na e konfirmoi një gjë të tillë, por unë do të përpiqem që ky ekip të jetë me përbërje të duhur e me përgatitje të mirë, pra edhe në aspektin politik përfaqësues, edhe në atë profesional të ekspertëve. Nuk besoj që mund të kemi një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti, sepse nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë. Por, unë nuk dua ta përjashtoj presidentin e Kosovës. Unë besoj që ai është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme, mirëpo politikën e jashtme e krijon Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra, pa përjashtuar mirëpo jo edhe duke udhëhequr siç ka qenë rasti në të kaluarën", ka thënë Kurti.

Këtë deklarim të Kurtit, për “Kosova Sot Online” e ka komentuar analisti politik dhe njohës i së drejtës, Skënder Kapiti.

Sipas tij, ky është një sinjal serioz që flet se Albin Kurti do ta merr vetë në dorë dialogun me Serbinë, dhe përfundimisht do ta përjashtojë Hashim Thaçin nga bisedimet me Serbinë, i cili edhe duhet të jep llogari për shkeljen e Kushtetutës.

Image
Skender Kapiti

“Fakti se Kosova është Republikë Parlamentare detyrimisht dhe konstitucionalisht ia delegon të drejtën që në krye të bisedimeve Kosovë-Serbi për palën kosovare i takon që të jetë Kryeministri dhe jo Presidenti i Republikës. Kur për këtë është shprehur qartë edhe Gjykata Kushtetuese, Thaçi jo vetëm se nuk duhet të jetë në krye të bisedimeve por ai duhet të përgjigjet para Ligjit Kushtetues për atë se përse ai ka shkelur Kushtetutën duke qenë krye negociator për shumë bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri tani, gjë e cila përbën dhe shkelje konstitucionale dhe që për këtë duhet të përgjigjet para ligjit. Madje para Ligjit duhet të përgjigjet edhe si bashkë autor i tentativës për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, dhe as që duhet të bëhet fjalë që ai të pyetet më tutje për bisedimet", thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

“Jo vetëm se duhet ta marrë përsipër kryesimin e bisedimeve, dhe kjo nuk do të thotë se mes tij e Thaçit ka filluar beteja për kompetencat, pasi është vetë Ligji dhe Kushtetuta që e përjashtojnë Thaçin nga kryesimi i bisedimeve ,por për pasojat negative që i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës në këto bisedime të kryesuara deri tani prej tij, ai nuk duhet të jetë as pjesëmarrës në ekipin kosovar pasi ai do të përpiqet që të sabotojë suksesin, arritjet dhe qëllimin e ekipit të Kosovës në këto bisedime, në mënyrë për ta mbrojtur veten dhe për të justifikuar qoftë shkeljen e ligjit por edhe dëmet që ai i ka shkaktuar Kosovës me bisedimet e deritanishëm”, shprehet më tej Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Kapiti deklaron se Albin Kurti duhet ta formojë një ekip negocitor, i cili në përbërjen e tij do të këtë njerëz profesionistë e të dëshmuar.

“Kurti për modesti dhe në respekt të institucionit të Presidentit deklarohet se nuk e përjashton Presidentin si pjesë e ekipit në këto bisedime të rëndësishme, por jo dhe në asnjë mënyrë atij nuk duhet t’i jepet rol kryesor, pasi ai është treguar qoftë i paaftë, i papërgjegjshëm por edhe inferior në bisedimet e deri më sotme. Kurti në këto bisedime duhet të zgjedhë individë publikë, politikanë dhe akademikë me kontribute patriotike, intelektualë e profesionistë të mirëfilltë me autoritet, me përgjegjshmëri dhe me integritet të lartë profesional të cilët tashmë edhe dihet se cilët janë pasi kapacitetin, aftësinë, përkushtimin dhe qëndrimin e tyre ata e kanë deklaruar edhe publikisht e mediatikisht në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi”, përfundon Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)