Kurti, 20 minuta takim kokë më kokë me Bashën: Jemi në shërbim të qytetarëve tanë

  • 11 February 2020 - 13:11
Kurti, 20 minuta takim kokë më kokë me Bashën: Jemi në shërbim të qytetarëve tanë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha.

Takimi është zhvilluar në selinë e PD-së, gjatë një vizite të shkurtër të Kurtit në Tiranë.

Burimet nga selia e PD-së, thanë se para takimit mes delegacioneve, Kurti ka zhvilluar një takim prej 20 minuta kokë më kokë me Bashën, pa praninë e asnjë personi tjetër.

Pas takimeve, Basha dhe Kurti kanë dhënë nga një deklaratë për mediat:

Albin Kurti: Në të dy anët e kufirit, ku vendet dhe qeveri do të bashkëpunojnë në mënyrë që Kosova dhe qeveria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare, por edhe historike, për qytetarët tanë të cilët siç e dimë janë jo vetëm në varfërinë më të madhe, por edhe në papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. 

Pra, është obligimi ynë si politikanë kudo që jemi, tërë kohën, të jemi në shërbim të qytetarëve, edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë për të ngritur dinjitetin e mirëqënien e tyre.

Basha: Dua ta falenderoj Kryeministrin e Kosovës për vizitën në selinë e PD-së. E sigurova se për PD-në dhe Opozitën e Bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta  dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim, qytetarëve tanë dhe në veçanti rinisë, për të ndaluar shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, sikundër për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë sikundër dhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, mund të mbështeten siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek PD –ja , tek Opozita e Bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër kur qytetarët e Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.

(Kosova Sot Online)