Grenell përsërit: Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të ketë investime

  • 11 February 2020 - 14:20
Grenell përsërit: Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të ketë investime

Ambasadori amerikan në Berlin njëherit i dërguar special i Presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka përsëritur se taksa 100% duhet të hiqet.

Grenell përmes Twitterit ka shkruar se taksa duhet të hiqet në mënyrë që investimet të vihen në funksion.

“Taksa duhet të hiqet, në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell në Twitter.

I dërguari i Presidentit Trump ka bërë një “retweet” ndaj ish-Ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili ka bërë një postim në rrjetin social për planifikimin buxhetor të administratës së Presidentit Trump dërguar Kongresit në lidhje me fondacionin “Sfidat e Mijëvjeçarit”, ku Kosova është anëtare.

Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se taksa 100% ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë. Ambasadori Grenell ka thënë poashtu një ditë më herët se taksa duhet të hiqet dhe reciprociteti nuk duhet të aplikohet. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka thënë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet. “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin. “Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)