Zgjohet nga koma pas aksidentit të rëndë, 49-vjeçarja shqiptare rrëfen momentin e tmerrshëm

  • 11 February 2020 - 17:55
Zgjohet nga koma pas aksidentit të rëndë, 49-vjeçarja shqiptare rrëfen momentin e tmerrshëm

Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të 49-vjeçares Albina Lleshi. Ajo në studio ka rrëfyer se kur ishte 20 vjeç pësoi një aksident, i cili i ndryshoi komplet jetën.

Albina u përplas nga një kamion, kur ishte duke shkuar për në punë. Gjendja e saj ishte tejet e rëndë dhe për një javë, ajo ka qëndruar në koma, pa dhënë asnjë lloj reagimi.

49-vjeçarja tregon se nuk mban mend asgjë nga aksidenti, por vetëm ato që familja i ka treguar. Pasi doli nga koma, menjëherë për të nisën dhimbjet e forta dhe një kalvar i gjatë vuajtjesh.

Mirela Milori: Në moshën 20-vjeçare ndodhi aksidenti. Më thuaj si ndodhi, çfarë dite ishte? Ti ishe me motrën?

Albina Lleshi: Atëherë ne ishim në rrugë. Sapo kisha mbaruar shkollën e mesme, gjimnaz të përgjithshme, edhe po filloja të punoja në kooperativë, nuk kisha as një muaj, sepse s’kisha çfarë të bëja në shtëpi, nuk rrija dot. Kam qenë rrugës duke shkuar për në punë, bashkë me motrën, të dyja. Dhe unë kam rastisur që kam qenë në cep të rrugës, anës rrugës dhe më ka ardhur makina nga mbrapa më ka marrë, një kamion ka qenë dhe më ka futur poshtë gomave. Aksidenti ka qenë shumë i rëndë, sa unë nuk mbaj mend asgjë nga ky aksident, përveç fjalëve që më tregon mami im. Madje i kam fiksuar gjatë ditëve që isha në spital, kur mami u tregonte njerëzve kur vinin më takonin në spital. Më kanë dërguar në spital në Laç fillimisht, aty nuk ka patur drita, nuk ka patur asgjë, as ambulancë për të më sjellë në Tiranë, pastaj kanë dalë në rrugë, kanë marrë një makinë të rastit dhe më kanë sjellë në urgjencë në Tiranë. Atje kam qëndruar për një javë në gjendje kome. 

Mirela Milori: Bëhet fjalë për vitet?

Albina Lleshi: Në shtator të vitit ’90.

Mirela Milori: Si e mban mend momentin e parë kur dole nga koma?

Albina Lleshi: Unë siç të thashë këto gjëra i kam mësuar nga mami, por nuk mbaj mend asgjë, as nga aksideni, asgjë. Thjesht mbaj mend momentin kur unë kam dalë nga gjendja e komës. Sepse isha domethënë nuk di si ta shpjegoj gjendje kome, kur njeriu është si në ajër, në qiell, me drita me gjëra shumë të bukura. Dhe më ka zgjuar një moment kur po bëhej një zhurmë në spital sepse babi im donte të futej për të më shikuar sepse kisha 5 ditë pa dhënë asnjë lloj reagimi, shenje, asnjë gjë. Unë ndërkohë isha në reaminacion dhe bëhej një debat shumë i rëndë, që babi të hynte të më shikonte me sy të paktën dhe kjo zhurmë mua më bëri të zgjohesha, të dal nga gjendja e komës dhe aty kam kuptuar dhe kam thënë: Përse dola sepse isha shumë mirë? Ndërkohë që atëherë fillova të ndjej dhimbjet, isha në një gjendje shumë të keqe, kisha shumë dhimbje, nuk dija çfarë të bëja, nuk dija si të reagoja, vetëm qaja. Kur kam dëgjuar zërin e babit atëherë unë kam filluar të qaj dhe i thoja mos u mërzit se unë jam më mirë, ndërkohë që unë atëherë fillova të ndjej dhimbjet e forta.

(Kosova Sot Online)