Profesori universitar vjen me fakte tronditëse: Ja struktura kriminale brenda Policisë së Kosovës

  • 12 February 2020 - 07:31
Profesori universitar vjen me fakte tronditëse: Ja struktura kriminale brenda Policisë së Kosovës

“Policia e Kosovës e cila shpesh herë është lavdëruar si institucioni më i besueshëm, që nga fillimi i ndërtimit të saj, nga qarqet e caktuara të politikës ka qenë cak ndikimit me struktura kriminale, sepse njerëzit e caktuar i kishin futur në të njerëzi e tyre të inkriminuar në krime. Madje jo vetëm tani por gjatë tërë kohës ka pasur dekonspirime të rasteve më serioze, sidomos kur është arritur deri afër momentit të zbulimit të vrasjeve kriminale. I tillë është ta zëmë në Pejë, rasti i vrasjes së polices Sebahate Tolajt dhe kolegut të saj që u vranë nga një terrorist i cili dihet se është dënuar me dënim të rëndë, dhe është i ditur se ka qenë truproje e një politikani të ditur, me funksione të larta në Kosovw”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i njohur universitar, doktor Jeton Kelmendi, duke analizuar të dhënat që dalin nga policia e Kosovës nga Inspektorati Policor, e që flasin për shifrën e 41 zyrtarëve policor të arrestuar gjatë vitit të kaluar për veprimtari të kundërligjshme dhe për korrupsion, thotë se tani para Qeverisë së re i del një detyrë tepër serioze e ristrukturimit dhe pastrimit të radhëve të Policisë së Kosovës.

Madje sipas Kelmendit, dyshohet se shifrat e atyre që i shërbejnë politikës së inkriminuar në polici janë tepër të mëdha, por po zbulohen me vështirësi dhe nuk mundë të pastrohen plotësisht, derisa nuk zbatohet ligji Vetting.

Image
Jeton Kelmendi

“Policia e Kosovës e cila shpesh herë është lavdëruar si institucioni më i besueshëm, që nga fillimi i ndërtimit të saj, nga qarqet e caktuara të politikës ka qenë cak ndikimit me struktura kriminale, sepse njerëzit e caktuar i kishin futur në të njerëzi e tyre të inkriminuar në krime. Madje jo vetëm tani por gjatë tërë kohës ka pasur dekonspirime të rasteve më serioze, sidomos kur është arritur deri afër momentit të zbulimit të vrasjeve kriminale. I tillë është ta zëmë në Pejë, rasti i vrasjes së polices Sebahate Tolajt dhe kolegut të saj që u vranë nga një terrorist i cili dihet se është dënuar me dënim të rëndë, dhe është i ditur se ka qenë truproje e një politikani të ditur, me funksione të larta në Kosovë. Pra raste të tilla ka pasur që nga fillimi sepse ishin ata të fuqishmit e politikës që i kanë futur njerëzit e tyre në polici, ashtu sikur që i kanë futur edhe në drejtësi dhe në të gjitha segmentet më të rëndësishme të sigurisë”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kelmendi shprehet se në polici ka strukturë të mirë organizuar kriminale, që vepron me direktiva të vartësve të tyre në politikë.

“Dihet që në këto struktura të policisë ka akoma shumë e më shumë njerëz të inkriminuar, deri në strukturat më të larta komanduese, njerëz të cilët janë të zhytur në krime të ndryshme, nga ato ekonomike deri në ato politike e shantazheve ndaj njerëzve që merren me biznes e me veprimtari të ndryshme. Prandaj është imanente që policia të pastrohet, së bashku me drejtësinë dhe të gjitha institucionet tjera të kontaminuara me krim e me korrupsion gjatë këtyre viteve që po mbeten pas. Duhet të pastrohen të gjitha institucionet e shtetit që të funksionojmë si një shtet normal. Unë shpresoj që me disa nga rastet e fundit që janë zbuluar dhe janë arrestuar, ky shtet veç ka filluar ngadalë që të shkapet nga strukturat kriminale dhe shpresoj që tani e tutje do të vazhdon beteja, do të luftohet për ndërtimin e organeve të sigurisë, edhe të një policie me profesionale e më dinjitoze, duke i larguar të gjithë ata që zbulohen se kanë qenë dhe janë të zhytur në krime të ndryshme”, shton profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E sipas tij, çelësi kryesor për këtë pastrim dhe ristrukturim, është procesi që ka gjetur vend edhe në programin qeverisës të koalicionit të tashëm, LVV-LDK.

“Unë mendoj se për ta realizuar këtë pastrim gjeneral, Vetingu është gjëja më e mirë që do të mundë të ndodhë për ti pastruar të gjitha institucionet e Kosovës, por se sa do të arrijnë të pastrohen ato, do të varet nga forma se si do të bëhet dhe si do të zbatohet Vetingu, por gjithsesi Vetingu për këtë ristrukturim dhe pastrim është më se i nevojshëm dhe tepër i domosdoshëm. Edhe vetë ata që e zbatojnë Vetingun duhet të verifikohen sepse ne e kemi edhe AKI-në si institucion që është i mbushur me plotë militant partiak dhe njerëz të cilët punojnë jo për interesin e shtetit por për interesin e grupeve të caktuara të interesit dhe të grupeve të caktuara politike”, përfundon doktor Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)