Kurti shfuqizoi vendimin për paga të ministrave dhe zv. ministrave pas mandatit

  • 12 February 2020 - 11:32
Kurti shfuqizoi vendimin për paga të ministrave dhe zv. ministrave pas mandatit

Qeveria e Albin Kurtit ka shfuqizuar edhe vendimin për përfitimet e ministrave dhe të zëvendësministrave një vit dhe gjashtë muaj pasi ta përfundojnë mandatin.

Kabineti qeveritar i kaluar, do të përfitonte paga sipas një vendimi të marrë nga qeveria e Isa Mustafës në nëntor të vitit 2015.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njofton se përveç shfuqizimit të vendimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për dyfishim të pagave të kabinetit qeveritar, në mbledhjen e sotme të Qeverisë u shfuqizua edhe vendimi për përfitime pas mandatit.

“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë. Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu. 

“Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit”, ka treguar Haxhiu.

Media ditë më parë ka raportuar për qindra mijëra euro që do të jepeshin për pagat e ministrave dhe zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Vendimi i vitit 2015 thoshte se ministrat do të merrnin 70 për qind të pagës edhe për një vit, ndërsa zëvendësministrat do të merrnin për gjashtë muaj 70 për qind të pagës.

(Kosova Sot Online)