Paralajmërimi: Kjo është ‘lufta’ e vërtetë mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit

  • 12 February 2020 - 13:15
Paralajmërimi: Kjo është ‘lufta’ e vërtetë mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit

“Ky është një sinjal që përfundimisht dëshmon se Kurti do ta merr vetë në dorë dialogun me Serbinë, një goditje e rëndë për Thaçin dhe paralajmërim se sapo ka filluar tashmë “lufta” e hapur mes Kurtit dhe Thaçit, për dominim në politikën e vendit dhe drejtimin e shtetit të Kosovës”, thotë analisti politik Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në dialogun me Serbinë, nuk do të ketë një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti.

"Unë do ta udhëheq ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga pranvera e vitit të shkuar, na e konfirmoi një gjë të tillë, por unë do të përpiqem që ky ekip të jetë me përbërje të duhur e me përgatitje të mirë, pra edhe në aspektin politik përfaqësues, edhe në atë profesional të ekspertëve. Nuk besoj që mund të kemi një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti, sepse nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë. Por, unë nuk dua ta përjashtoj presidentin e Kosovës. Unë besoj që ai është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme, mirëpo politikën e jashtme e krijon Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra, pa përjashtuar mirëpo jo edhe duke udhëhequr siç ka qenë rasti në të kaluarën", është shprehur kryeministri Albin Kurti.

E sipas analistit politik, Gani Qarri, ky deklarim i Kurtit është sinjal serioz i cili flet se kryeministri do ta merr në dorë dialogun me Serbinë, dhe do ta ‘përjashtojë’ Hashim Thaçin nga bisedimet.

Image
Gani Qarri

“Gjë që do të jetë një goditje tjetër e rëndë për Hashim Thaçin sepse tani më edhe me veprime konkrete praktike, shihet se ka filluar “lufta” e hapur mes Kurtit dhe Thaçit. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, humbjes së pushtetit nga ana e PDK-së, si dhe formimit të qeverisë nga koalicioni LVV-LDK, tanimë nuk ka asnjë dilemë se edhe udhëheqës i ekipit negociator të bisedimeve me Serbinë, do të jetë qeveria e re dhe kryeministri aktual i vendit Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk do të ketë një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, është për tu vlerësuar qëndrimi konstruktiv i Kurtit se ai personalisht do ta udhëheq ekipin e Kosovës në bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, por nga ana tjetër në rrafshin e bërjes së politikës së jashtme dhe të diplomacisë për vendin, do ta ruaj edhe komunikimin me të parin e shtetit, Presidentin. 

”Me gjithë raportet e ftohta dhe pothuajse të pa afrueshme me Hashim Thaçin, z.Kurti paralajmëroi se presidenti nuk do të përjashtohet, por jo edhe të udhëheq bisedimet si në të kaluarën, ai nuk do ta ketë më peshën as përgjegjësit që kishte dikur dhe megjithëse, nuk do ta përjashtoi tërësisht nga dialogu, me të do të bashkëpunojë vetëm rreth diplomacisë së jashtme, ndërsa procesi i bisedimeve do të udhëhiqet nga qeveria e re, e dal prej zgjedhjeve të 6 tetorit”, shprehet Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ashtu edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga pranvera e vitit të kaluar, e ka konfirmuar që Kryemisitri duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Kurti do të përpiqet që ky ekip të jetë me përbërje të duhur e me përgatitje sa më të mirë,në aspektin politik përfaqësues dhe në atë profesional të ekspertëve, prandaj edhe Kryeministri i ri thotë se nuk mund të kemi një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti, sepse një situatë e tillë, nuk është, në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare. Por, nga ana tjetër, Kurti beson që presidenti është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme,politikë të cilën tani e krijon Qeveria e re e Republikës së Kosovës”, thekosn Qarri.

E sipas Qarrit, kështu vjen edhe fundi në karrierën politike të Hashim Thaçit.

“Ky është një sinjal që përfundimisht dëshmon se Kurti do ta merr vetë në dorë dialogun me Serbinë, edhe pa e përjashtuar tërësisht Thaçin nga bisedimet, një goditje e rëndë për Thaçin dhe paralajmërim se sapo ka filluar tashmë “lufta” e hapur mes Kurtit dhe Thaçit, për dominim në politikën e vendit dhe drejtimin e shtetit të Kosovës”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)