Berlini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës, s’komentojnë për reciprocitetin

  • 12 February 2020 - 14:56
Berlini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës, s’komentojnë për reciprocitetin

Njëjtë sikurse SHBA’ja, një vendim për heqje të menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës do ta mirëpriste edhe qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel, cila gjatë vitit të kaluar kishte udhëhequr përpjekjet për të ulur në tryezën e bisedimeve Kosovën dhe Serbinë. Kështu i ka thënë medias një zëdhënës i Qeverisë Federale duke thënë se një vendim i tillë do të ishte një hap i rëndësishëm për rifillimin e negociatave.

Krijimi i institucioneve të reja në Kosovë që erdhi si rezultat arritjes së marrëveshjes politike LVV-LDK, ka aktivizuar edhe shtetet e fuqishme perëndimore të cilat synojnë dhe kërkojnë rinisje sa më të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesi Special Presidencial i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kërkon nga qeveria Kurti që taksa të hiqet menjëherë, ndërkohë kundërshton idenë e kryeministrit Kurti për zëvendësimin e tarifës 100 % me reciprocitet.

Heqjen e menjëhershme të taksës e parapëlqen edhe Qeveria Federale e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Në një përgjigje ekskluzive për media nga qeveria e Merkel thuhet se qëndrimi gjerman mbetet i pa ndryshueshëm dhe se do të mirëprisnin një heqje të menjëhershme të taksës më qëllim të rinisjes së dialogut.

“Pozicioni ynë mbetet i pa ndryshuar: Qeveria gjermane do të mirëpriste një heqje të menjëhershme të taksës 100 % që është vendosur nga Kosova për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për media.

Për qeverinë e Merkel një vendim i tillë për heqje  të taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës  do të ishte një veprim shumë i rëndësishëm për të rinisur dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për rinisjen e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, ka përfunduar ky zëdhënës për media.

Ndërkohë nga zyra e Merkel nuk kanë dhënë ndonjë koment sa i përket deklarimeve të Kurtit se do të heqë taksën sapo të vendoset masa e reciprocitetit, përveç atij se do të mirëprisnin një heqje të menjëhershme të taksës.

Megjithatë pritet të shihet nëse Albin Kurti si kryeministër do të ndryshojë qëndrim lidhur me modalitetin se si do të hiqet taksa. A do të merret një vendim i menjëhershëm apo do t’i qëndrojë prapa fjalëve të tij se do  ta heq taksën sapo të vendoset reciprociteti.

Gjatë kësaj fundjave kryetari i Qeverisë së Kosovës do të qëndrojë në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës për Siguri, e ku do të marrë pjesë në një panel të përbashkët diskutimi me Vuçiqin, ndërkohë me shumë gjasë do të ketë edhe takime me zyrtarë të lartë të fuqive perëndimore që do të qëndrojnë në qytetin gjerman.

Përveç kësaj, Kurtin në Berlin e ka ftuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, megjithatë ende nuk dihet data kur do të realizohet takimi.

(Kosova Sot Online)