Kurtit i vjen ‘goditja’ për taksën: Ja pse nuk duhet të hiqet, ky është ‘çelësi’ i pajtimit me Serbinë

  • 12 February 2020 - 19:58
Kurtit i vjen ‘goditja’ për taksën: Ja pse nuk duhet të hiqet, ky është ‘çelësi’ i pajtimit me Serbinë

“Ato tema nuk zgjidhen me reciprocitet sepse Serbia po vjen në bisedime si shtet e Kosova po përfaqësohet dhe po vlerësohet vetëm si territor i pacaktuar. Serbia ka vrarë e dhunuar, e jo Kosova. Serbia ka bërë dëme të mëdha dhe jo Kosova. Serbia dhe kriminelët e saj kanë përdhunuar femra shqiptare e jo njerëzit e Kosovës. Edhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre është krim dhe duhet të vlerësohet e të dëmshpërblehet. Këtu nuk ka reciprocitet, është marri dhe e turpshme të mendohet për këtë”, thotë profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”

 

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi ka thënë për “Kosova Sot Online” se Qeveria e re duhet ta ndryshojë tërësisht kursin e bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që të parandalohen dhe eliminohet tërësisht të gjitha prapaskenat që mundë të kurdisen nga Thaçi dhe bashkëmendimtarët e tij, për opsionin e shkëmbimit të territoreve. 

Çelësi i pajtimit me Serbinë, sipas Kelmendit është njohja dhe kompensimi i dëmeve të luftës.

“Natyrisht se tërheqja e kufijve të rijnë midis Kosovës dhe Serbisë, duke bërë ndarjen e Kosovës, nuk është hequr nga tavolina e bisedimeve. Mendohet se një ndër planet e mundshme është edhe kjo. Plan tjetër është konstituimi i statutit të Autonomisë për të ashtuquajturat komuna serbe. Të dy këto plane janë të rrezikshme dhe mbi të dyja do të negociohet. Kuptohet se këto duhet të jenë parasysh dhe të merren për bazë nga Qeveria e re në mënyrë që çështja të mos eci në rrugën e rrezikshme për territorin e shtetit. Sa do të jenë parasysh këto nga Qeveria Kurti  tash për tash nuk dihet”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kelmendi shprehet se tani po flitet tani për heqjen e taksës 100% dhe zëvendësimin me reciprocitet, por akoma nuk dihet e nuk ka detaje bindëse se si ky reciprocitet do të futet në veprim. 

“Nuk po ndahet dhe bisedohet për territor serb por shqiptar. Andej e këndej kufirit, po them ashtu sepse vetëm territori shqiptar rrezikohet. E kjo duhet të kuptohet mirë nga Qeveria. Nuk duhet të ecet pa plan dhe të shkohet sikurse me e nda një cigare me Serbinë. Por, duhet plan i gjerë dhe i studiuar mirë që të ecet mbi të. Asgjë në këtë nivel nuk mund të pranohet nëse Ujmani, Mitrovica e Trepça humbin. Nuk duhet kurrë të bisedohet për ta pranuar Asociacionin serb jashtë normave kushtetuese të vendit. Nuk duhet biseduar pa status të shtetit dhe njohje dhe pa kompensim të dëmeve të luftës. Çdo gjë tjetër është e dëmshme”, shton profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”. 

Temat që do të bisedohen me Serbinë, sipas Kelmendit, paraprakisht janë të njohura dhe dihen nga të gjithë përfaqësuesit politik të shtetit të Kosovës.

“Dhe ato janë tema që nuk mundë të zgjidhjen me vendosje të masave të reciprocitetit por vetëm duke vendosur kushte paraprake konkrete, sikur që janë dëmet e luftës dhe njohja pa kushte e shtetit të Kosovës. Ato tema nuk zgjidhen me reciprocitet sepse Serbia po vjen në bisedime si shtet e Kosova po përfaqësohet dhe po vlerësohet vetëm si territor i pacaktuar. Serbia ka vrarë e dhunuar, e jo Kosova. Serbia ka bërë dëme të mëdha dhe jo Kosova. Serbia dhe kriminelët e saj kanë përdhunuar femra shqiptare e jo njerëzit e Kosovës. Edhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre është krim dhe duhet të vlerësohet e të dëmshpërblehet. Këtu nuk ka reciprocitet, është marri dhe e turpshme të mendohet për këtë”, përfundon profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)