Mërgim Lushtaku tregon pse ia vendosi Vjosa Osmanit foton e Thaçit

  • 13 shkurt 2020 - 12:00
Mërgim Lushtaku tregon pse ia vendosi Vjosa Osmanit foton e Thaçit

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se fotografinë e Presidenti Thaçi e ka vendosur në sallën e Kuvendit për t’i treguar Kryeparlamentares Vjosa Osmani frymën rugoviane dhe institucionaliste.

Lushtaku ka shkruar në Facebook se ky gjest simbolik i tij ka qenë që t’i tregojë Osmanit se duhet të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Sot, me anë të një gjesti simbolik, edhe një herë provova t’i tregoj Kryeparlamentares së re dhe të

pa përvojë, se ajo duhet ta dëshmojë praktikisht frymën e saj rugoviane – institucionaliste dhe të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka thënë se Presidetin Thaçi duhet të vendoset brenda të gjitha institucioneve të vendit. 

“Hashim Thaçi është President aktual i Republikës së Kosovës dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, fotoja e tij duhet të vendoset në vendin e caktuar, brenda zyreve të të gjitha institucioneve të vendit”, ka shkruar deputeti i PDK-së.

Lushtaku sot para fillimit të seancës së Kuvendit ka vendosur një fotografi të madhe të Presidentit Hashim Thaçi prapa ulëses së Kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Seanca e sotme ka filluar me tensione mes PDK-së dhe Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani.

(Kosova Sot Online)