Rifillimi i dialogut, ky është alarmi për Kosovën: Kështu duhet të kushtëzohet Serbia...

  • 13 February 2020 - 13:00
Rifillimi i dialogut, ky është alarmi për Kosovën: Kështu duhet të kushtëzohet Serbia...

“Gjatë proceseve dialoguese pala kosovare paraprakisht duhet të ketë të përgatitur plotësisht e me kujdes të shtuar elaboratin për dëmet morale e materiale të shkaktuara gjatë luftës së fundit në Kosovë nga shteti serb dhe kundër këtij të fundit medoemos të ngritët aktakuze penale e kërkesë padi civile”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Riza Smaka ka reaguar ndaj të dërguarit Special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, i cili ka thënë se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurt i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka thënë për media se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

E profesori i së drejtës, Riza Smaka thotë se është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës, konkretisht qeverisë Kurti, që edhe pala kosovare sikurse ajo serbe, të vendosë kushtet e veta për ta vazhduar dhe finalizuar dialogun, i cili është ndërprerë qysh nga vendosja e taksës 100% nga qeveria Haradinaj.

Image
Riza Smaka

“Tarifa doganore apo taksa fillimisht ka qenë caktuar pa një elaborat ekonomik e politik të përgatitur me kujdes dhe konsiderata të nevojshme. Sikundër dihet ajo ka qenë caktuar më pare "ad hoc" me 15, 25, përkatësisht me 100 %. Pasi që ka qenë caktuar ajo taksë dhe deri tani është aplikuar relativisht mire, të njëjtën nuk duhet hequr pa klauzolën e qartësimit për raporte të ndërsjella të Kosovës me Serbinë, të bazuara në reciprocitet të plotë në të gjitha fushat e sferat socio- ekonomike e politike. Nuk do të mjaftonte që shteti serb të pezullonte aktivitetin agresiv kundër shtetit e shtetësisë së Kosovës në të gjitha korespondimet e relacionet ndërkombëtare që të vendoset nga pala kosovare për ta suprimuar taksën në fjalë. Kurrsesi jo. Qëndrimi i autoriteteve shtetërore të Kosovës duhet të jetë e të mbetet konsistent e konsekuent referuar ndërlidhjes së heqjes së taksës me aplikimin e plotë të reciprocitetit kosovar-serb në të gjitha etapat e dialogimit dhe të marrëdhënieve shoqërore, ekonomike e politike”, thotë profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Platforma për rifillimin e dialogut me Serbinë, sipas profesorit Smaka si shtyllë kryesore duhet ta ketë kushtëzimin e shtetit serb për t’i pranuar dhe kompensuar dëmet dhe krimet e luftës. 

“Gjatë proceseve dialoguese pala kosovare paraprakisht duhet të ketë të përgatitur plotësisht e me kujdes të shtuar elaboratin për dëmet morale e materiale të shkaktuara gjatë luftës së fundit në Kosovë nga shteti serb dhe kundër këtij të fundit medoemos të ngritët aktakuze penale e kërkesë padi civile”, shton profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Këto masa kushtëzimi, sipas Smakës duhet të vendosen pavarësisht se mundë të kundërshtohen nga disa vende, që e mbështesin më shumë dhe mbajnë anën e shtetit të Serbisë.

“Mundë të priteshin edhe kundërshtime të disa shteteve, madje edhe të disa sosh që i vlerësojmë për aleat të shtetit tonë të cilat jo rrallë herë padrejtësisht e kanë favorizuar shtetin serb në disfavorin e shteteve të dëmtuara, nisur nga Kroacia, Bosnja e deri te Kosova. Ndryshe aplikimi i klauzolës së reciprocitetit në relacionet kosovare-serbe konsiston ndër të tjera edhe në përmbushjen e synimeve të aplikimit të tarifave doganore në mallrat serbe të importuara në Kosovë nga se e përfshin anti monopolin, anti dumpingun dhe antikartelin si dhe eliminimin e kompeticionit jo lojal të formave më se të ndryshme”, përfundon profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)