Kosova mbetet e izoluar, liberalizmi i vizave dështimi i dekadës

  • 14 February 2020 - 12:32
Kosova mbetet e izoluar, liberalizmi i vizave dështimi i dekadës

“Pa dyshim, dështimet më të mëdha të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, pra në këto 12 vite e këndej, janë ato që Kosova dështoi që të anëtarësohet në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, siç janë: UNESCO, Interpol dhe dështimi historik e maratonik me liberalizimin e vizave. Për këtë, nuk është e habitshme pse Kosova po mbetet vendi më i izoluar në botë”, thotë Aliu për “Kosova Sot Online”.

Anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, për këto 12 vite pas shpalljes së pavarësisë, sipas analistit politik, Bislim Aliu, është dështim i dekadës për të gjitha qeverisjet e kaluara, të cilat e qeverisën vendin nga 17 shkurti 2008, e deri më sot.

Aliu thotë se është e pafalshme se si dështoi Kosova që të anëtarësohet në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, dhe në liberalizimin e vizave për kosovrët.

Image
Bislim Aliu

“Pa dyshim, dështimet më të mëdha të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, pra në këto 12 vite e këndej, janë ato që Kosova dështoi që të anëtarësohet në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, siç janë: UNESCO, Interpol dhe dështimi historik e maratonik me liberalizimin e vizave. Andaj, në këtë drejtim dështuan të gjithë ata që qeverisën pas 19 shkurtit të vitit 2008, të gjitha qeveritë e deritashme pa asnjë dallim. Dështimi ju faturohet edhe nga pamundësia për t'u anëtarësua në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare për forcimin e identitetit dhe subjektivitetit të shtetit të Kosovës. Për këtë, nuk është e habitshme pse Kosova po mbetet vendi më i izoluar në botë”, thotë analisti politik, Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, mandatet qeverisëse të këtyre 12 viteve që po mbeten pas, do të shënohen në historikun e shtetit të Kosovës si një dështim i madh për shtetin e ri, që për synim ka integrimin në familjen evropiane.

“Megjithatë, kjo qeveria e re, kam përshtypjen, se do të angazhohet, që ta largoj korrupsionin dhe krimin e organizuar, por edhe do ta forcoj rendin dhe ligjin. Me këto, do t'i hapet udha e përparimit të Kosovës, bile që të bëhet sa më shpejt liberalizimi i vizave dhe të hapet rruga e Kosovës edhe për tu bërë anëtare e organizatave më të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, në nivel evropian dhe më gjerë. Ndaj le të shpresojmë me këtë qeveri të re për ditë të mira”, deklaron Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)