Agim Veliu mbështeti marrëveshjet, tash pritet reagimi i Albin Kurtit

  • 14 February 2020 - 16:05
Agim Veliu mbështeti marrëveshjet, tash pritet reagimi i Albin Kurtit

Që nga mëngjesi kur u nënshkruan dy marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë për ndërtim të autostradës e linjës hekurudhore që do ta lidhë Prishtinën me Beogradin, Kryeministri Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë.  Thaçi ka drejtuar delegacionin e Kosovës, ndërsa Kurti ka arritur në Gjermani kur përfundoi nënshkrimi i marrëveshjeve. Vartësit e tij janë në pritje që Kurti të dalë me qëndrim për atë që ndodhi sot në Mynih.

Letrat për shprehje të interesimin për ndërtimin e autostradës dhe hapjen e hekurudhës i kanë nënshkruar dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, Ramë Qupeva e Xhemë Veseli në emër të palës kosovare.

Nuk dihet nëse zyrtarët e ministrisë që atje janë dërguar si të emëruar nga koha e Pal Lekajt, janë koordinuar me shefin e tyre, ministrin Lumir Abdixhikun, megjithatë mbi kokën e tyre qëndronte Presidenti Hashim Thaci.

Zyrtarë të Qeverisë thonë se Kryeministria do të dalë me deklaratë rreth marrëveshjeve të nënshkruara sot në Mynih. Deri atëherë askush, e as ministri Abdixhiku, nuk jep ndonjë koment. Deri më tani, individualisht ka komentuar vetëm Ministri i Brendshëm Agim Veliu duke e mbështetur punën e Grenellit dhe marrëveshjet e arritura.

Kryeministri Kurti është nisur në Mynih, pasi Thaçi e Vuciq përfunduan takimin për nënshkrimin e marrëveshjeve. Nuk është publikuar agjenda e kryeministrit në Konferencën e Sigurisë që po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

Marrëveshjet i ka ndërmjetësuar Richard  Grenell, i emëruar i Presidenti amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi.

Në ceremoninë e nënshkrimit nga ana e Serbisë kanë marrë pjesë presidenti Aleksandër Vuciq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën. 

Të gjithë janë deklaruar pas nënshkrimit të marrëveshjeve, mirëpo nuk është dhënë detaje se çka përfshijnë ato letra. Nuk dihet as koha kur mendohet të fillojnë ndërtimet e as se si do të financohen.

Grenell ka thënë se këto marrëveshje u arritën me direktiva të Trumpit.

“Falë direktivave të qarta të Presidentit Trump, ne kemi nënshkruar tri marrëveshje ekonomike për katër muaj. Një për udhëtimin ajror, një për hekurudha dhe një për autostrada”, ka shkruar Grenell.

Presidenti Thaçi ka thënë se këto marrëveshje po prijnë në arritjen e paqes mes Serbisë e Kosovës.

Thaçi, i pyetur nga gazetarët, për koordinim me kryeministrin Kurti, ka thënë se ai pret nga pozita dhe opozita të jenë unike dhe se do të kontribuojë në koordinim ndërinstitucional. Nuk ka folur për ftesën që shefi i Qeverisë ia ka bërë pak para se të niseshin në Mynih. 

(Kosova Sot Online)