Çfarë thotë drejtori i policisë rreth rastit në Zhur ku nga shpërthimi u vra një polic

  • 14 February 2020 - 16:57
Çfarë thotë drejtori i policisë rreth rastit në Zhur ku nga shpërthimi u vra një polic

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka folur mbrëmë rreth aksionit në Zhur të Prizrenit, gjatë të cilit humbi jetën polici Sami Thaçi e u lënduan dy të tjerë. Ai ka treguar se fillimisht raportimi në Polici kishte qenë për dhunë në familje, por që gjatë bisedës, fëmija kishte treguar se babai i tij posedon edhe lëndë narkotike.

Sipas Qalajt, shpërthimi kishte ndodhur derisa policët po kryenin kontrolle në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë, e cila nuk kishte pasur as derë.

“Në fakt thirrja në Policinë e Kosovës, ka qenë thirrje për dhunë në familje. Njëri nga familjarët ka thirr në qendrën operative në Zhur, në lidhje me dhunën në familje dhe poashtu ka thënë që prindi im posedon edhe lëndë narkotike. Procedurat në Policinë e Kosovës kur kemi të bëjmë me substancë narkotike janë që ne i kyçim njësitë që janë të specializuara për narkotikë”, ka thënë ai.

Drejtori i Policisë ka treguar se eksplozivi kishte qenë i mbështjellë me një palë pantallona, në dollapin e krevatit. Policët kishin menduar se ka substancë narkotike, por që gjatë shpalosjes eksplozivi kishte shpërthyer duke e lënë të vdekur policin Sami Thaçi, dhe dy të tjerë me lëndime serioze. 

“Kati i parë është kontrolluar nga kolegët edhe të rendit edhe të njësisë të narkotikëve  dhe kanë shkuar në katin e dytë, në një ta quajmë dhomë e cila nuk ka qenë e banuar, por ka qenë pa derë dhe gjatë kontrollit ka qenë një fëmijë me Policët, dhe policët kanë hyrë dhe kanë filluar kontrollën për narkotikë. Në një moment gjatë kontrollimit të një fjoke në krevat ka qenë një lëndë e mbështjellur me pantallona, pra me farmerka  dhe gjatë shpalosjes së saj, policët kanë menduar që është lëndë narkotike, kur ka ardh deri te eksplodimi”, ka deklaruar Qalaj.

Në të njejtën shtëpi, Qalaj thotë se të nesërmen janë gjetur rreth 800 gr lëndë plasëse dhe se ka pasur rrezik edhe për një shpërthim të dytë.

“Pas ngjarjes tragjike, në mëngjes, policët kanë gjetur në një sungjer kanë gjetur një sasi të lëndëve plasëse, diku 809 gramë, e cila ka qenë e gatshme për shpërthim. Pra ka pasur rrezik që të jetë edhe një shpërthim i dytë dhe të jetë edhe më fatal”, ka thënë ai.

Për Iran Badallajn, thotë se ka një të kaluar të pasur kriminale.  Sipas të parit të Policisë, ai ka qenë i përfshirë në shumë raste të vjedhjeve.

“Personi që është arrestuar në shtëpinë që ka ndodhë shpërthimi, ka një të kaluar kriminale mjaft të pasur, meqenëse është i përfshirë në shumë vepra kriminale, sidomos vjedhje.”

(Kosova Sot Online)