Taksa ndaj Serbisë, parashikimi: Ja dy rrugët e vetme të Albin Kurtit

  • 15 February 2020 - 07:39
Taksa ndaj Serbisë, parashikimi: Ja dy rrugët e vetme të Albin Kurtit

“Të gjithë paraardhësit e tij deri më tani janë detyruar që të bëjnë kompromise, derisa z.Kurti është ardhur në pushtet duke i etiketuar si tradhtar. Pra edhe tani me kërkesat e z. Grenell që taksa duhet të hiqet e jo të pezullohet, dhe njëherit nuk ka as masa të reciprocitetit, z. Kurti i kanë mbetur dy rrugë: të vazhdoj agjendën si paraardhësit e tij apo të tërhiqet duke e quar vendin në zgjedhje të reja parlamentare, sepse si udhëheqës i delegacionit duhet të bëjë edhe kompromise”, thotë Kadriaj për “Kosova Sot Online”.

Derisa Qeveria e Kosovës po përballet me presion të shtuar nga SHBA-të dhe faktori ndërkombëtar për heqjen e taksës 100% ndaj shtetit të Serbisë, analistët politikë dhe njohësit e fushës së ekonomisë theksojnë se Kosova duhet ta merr seriozisht këtë kërkesë, në mënyrë që ta gjej modalitetin e arsyetimit të heqjes së taksës, dhe të mos rrezikojë që të acarohen dhe të prishen raportet miqësore me shtetet perëndimore.

Kështu ka thënë për “Kosova Sot Online” edhe analisti i politikave ekonomike, Mustafë Kadriaj, pas kërkesës së fundit që ambasadori amerikan në Berlin, njëherit i dërguar special i Presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se taksa 100% duhet të hiqet në mënyrë që investimet të vihen në funksion.

Image
Mustafe Kadriaj

“Duke qenë dëshmitar që edhe rrugëtimi i Kosovës deri tek pavarësia është sponsorizim i miqve ndërkombëtar, sidomos i SHBA-ve, përkundër përpjekjes paqësor në vitet e 90-ta dhe rezistencës me luftë që nuk u mjaftua të çlirohem nga makineria e pushtuesit serb, pa përkrahjen e perëndimit, këto kërkesa duhet të merren seriozisht. Me këtë duhet ta ketë të qartë z. Kurti që është lehtë të bëhet opozitë dhe për të krijuar kauza nacionaliste në një vend siç është Kosova me tema të rënda ende të hapura, por për ta qeverisur vendin, shtetin, është sfidë serioze në vete”, thotë Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, edhe kryeministri Kurti, ose duhet të bëjë një kompromis për taksën siç e kërkon faktori ndërkombëtar, ose duhet të ndjek modelin e paraardhësit Haradinaj dhe të dorëhiqet.

“Të gjithë paraardhësit e tij deri më tani janë detyruar që të bëjnë kompromise, derisa z.Kurti është ardhur në pushtet duke i etiketuar si tradhtar. Pra edhe tani me kërkesat e z. Grenell që taksa duhet të hiqet e jo të pezullohet, dhe njëherit nuk ka as masa të reciprocitetit, z. Kurti i kanë mbetur dy rrugë: të vazhdoj agjendën si paraardhësit e tij apo të tërhiqet duke e quar vendin në zgjedhje të reja parlamentare, sepse si udhëheqës i delegacionit duhet të bëjë edhe kompromise”, shton Kadriaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kadrijajt, Kurti duhet ta përqendrojë angazhimin e tij serioz sidomos në mbajtjen e premtimeve për luftimin e krimit dhe korrupsionit, pasi sa i takon agjendës për dialogun me Serbinë, asgjë nuk mundë të ndërmerret pa akordimin dhe harmonizimin e plotë të qëndrimeve më miqtë ndërkombëtar, të cilët edhe e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.

“Në situatën çfarë është z. Kurti i vetmi kredit që i ka mbetur është vetëm lufta kundër korrupsionit dhe mirë qeverisja sepse të gjitha ato tema me prizmin nacionalist duhet të harrohen, sepse ndikimi i faktorit perëndimor është me rol dhe ndikim vendimtar. Pra këtë fakt duhet ta ketë të qartë cilido lider që ulet në postin e kryeministrit se vjen edhe në situata kur për çështje të caktuara duhet të bëjë kompromis, normal që në ndonjë situatë edhe mundë të jenë të dhimbshme për Kosovën. Një gjë duhet ta kemi shumë të qartë që ne do të jemi shtet dhe do të kemi shtet aq sa dëshiron SHBA-ja, pa marr parasysh të drejtën tonë si popull dhe padrejtësitë që në të kaluarën na janë bërë vazhdimisht”, shprehet Kadriaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë për ta finalizuar këtë proces të dialogut për të cilin po insiston tani me të madhe edhe SHBA-ja, do të duhej formuar delegacion të spektrit të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

“Të ngjashëm si në vitin 1999, në konferencës e Rambujesë, sepse bëhet fjalë për një zgjidhje historike të normalizimit të raporteve pas konfliktit të dhimbshëm Kosovë-Serbi, me mjete paqësore. Duke marr parasysh tani edhe interesimin e SHBA-ve që të mbyllet çështja e Kosovës vlerësoj që do të ishte e rrugës që Kosova pa vonesë ta formon një grup të unitetit siç ka qenë në vitin 1999 delegacioni i Rambujesë, por problemi është pikërisht te z. Kurti që rrugëtimin e tij si opozitar e ka zhvilluar duke i etiketuar të gjithë oponentët politik si tradhtar dhe tani nuk dihet sa do ti falet ajo nga forcat opozitare, sepse për fat jo të mirë vlerësoj që Kosova akoma do të përballet me situata aspak të lakmueshme politike të cilat do ta lënë nën hije edhe për një kohë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien në vend”, përfundon analisti i politikave ekonomike, Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)