Shmangie doganore me ryshfet, një muaj paraburgim për të akuzuarit

  • 15 February 2020 - 14:52
Shmangie doganore me ryshfet, një muaj paraburgim për të akuzuarit

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve F.S.; A.L.; L.B. dhe A.L.1., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kontrabandimi i mallrave dhe veprën penale të kryer në vazhdim secili veç e veç dhënia e ryshfetit.

Sipas gjykjatës, të pandehurit F.S.; A.L.; L.B. dhe A.L.1., dyshohet se nga tetori 2019 deri në muajin shkurt 2020 në pikën kufitare Hani Elezit, kanë bartur mallra – barna, duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që barnat i kanë siguruar nga persona të paautorizuar në Republikën e Maqedonisë, dhe duke dhënë dhurata dhe përfitime tjera pasurore zyrtarëve doganor dhe policor kanë kaluar vijën kufitare pa iu nënshtruar kontrollit doganor, pastaj të njëjtat i kanë dërguar në shtëpinë e të pandehurit F., me qëllim që të vihe n në qarkullim me çka do të vënin në rrezik shëndetin e njerëzve.

“Ndërsa me rasti e urdhër kontrollit të shtëpisë dhe lokaleve të pandehurve janë gjetur 6.917 kutia me barna të 199 llojeve të ndryshme, të cilat janë sekuestruar nga policia. Andaj Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

(Kosova Sot Online)