“Të zbardhet e kaluara e errët”, Albin Kurtit i kërkohet hetimi i SHIK-ut të Kadri Veselit

  • 15 February 2020 - 18:00
“Të zbardhet e kaluara e errët”, Albin Kurtit i kërkohet hetimi i SHIK-ut të Kadri Veselit

 “Për të zbardhur përfundimisht bëmat dhe veprimtarinë e kamufluar të SHIK-ut, pas shkuarjes së PDK-së, partisë "mëmë" të SHIK-ut, në opozitë dhe ardhjes së LVV-s, në qeveri, ashtu siç edhe ka premtuar në vijimësi Albin Kurti, duhet ta inicioi përsëri krijimin e një komisioni hetimor qeveritar, në mënyrë që të hetohet rrënjësisht dhe në hollësi, veprimtaria e njëmendtë e SHIK-ut, gjatë gjithë këtyre viteve, nga Qeveria e re LVV-LDK”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

 

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë, kishte marr nismën për krijimin e një komisioni hetimor për hetimin e SHIK-ut, shërbim ky i udhëhequr nga Kadri Veseli, tash shef i opozitës në Kuvend.

Por VV-ja në atë kohë kishte dështuar ta bëjë një gjë të tillë. Tani kur VV dhe LDK janë së bashku në pushtet, si dy subjekte aktive në denoncimin e krimeve të dyshuara të SHIK-ut, analistët dhe ekspertët e fushës së sigurisë kërkojnë që përsëri të iniciohet çështja e hetimit të detajuar të së kaluarës dhe veprimtarisë së SHIK-ut, në mënyrë që të mos mbetet kjo çështje në harresë.

Image
Gani Qarri

E lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folura analisti politik, Gani Qarri, sipas të cilit, është momenti i duhur i dekonspirimit të plotë të sa kaluarës dhe veprimtarisë së SHIK-ut.

“Përderisa ish organizata fantome e SHIK-ut, ende konsiderohet si fenomeni më i përfolur i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur, pas luftës popullit dhe shtetit të Kosovës, megjithëse zyrtarisht thuhet se ka vite që është shuar si organizatë, Qeveria e re duhet ta këtë prioritet që ta hetoj dhe zbardhë arsyen e krijimit dhe qëllimin e ekzistencës si dhe veprimtarinë e njëmend të SHIK-ut në vendin tonë”, thotë analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Qarri thekson se tanimë është mundësia ideale që Lëvizja Vetëvendosje ta jetësojë qëllimin që e kishte gjatë kohës sa ishte në opozitë, krijimin e një komisioni hetimor për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut.

 “Në situatën e tanishme, është shumë më i lehtë krijimi i këtij komisioni, tani në nivel qeveritar, për të vepruar aq sa i lejon ligji, jo si parlament por komision qeveritar sikur e ka kërkuar edhe vetë lideri I VV-së Albin Kurti, tani Kryeministër i Kosovës. Për të zbardhur përfundimisht bëmat dhe veprimtarinë e kamufluar të SHIK-ut, pas shkuarjes së PDK-së, partisë "mëmë" të SHIK-ut, në opozitë dhe ardhjes së LVV-së, në qeveri, ashtu siç edhe ka premtuar në vijimësi Albin Kurti, duhet ta inicioi përsëri krijimin e një komisioni hetimor qeveritar, në mënyrë që të hetohet rrënjësisht dhe në hollësi, veprimtaria e njëmendtë e SHIK-ut, gjatë gjithë këtyre viteve, nga Qeveria e re LVV-LDK. Ndonëse kanë kaluar disa vite që kur, kinse është shuar organizata misterioze e SHIK-ut, duke pasur parasysh faktin se edhe pas dëbimit të Serbisë, në Kosovë sërish kanë ndodhë mijëra vrasje, plagosje, kidnapime, zhvatje dhe vepra tjera penale,ku në shumicën e rasteve,viktimë ishin vetëm shqiptarë, tashmë kur ndikimi politik i PDK-së, dhe Kadri Veselit në institucionet e shtetit, besohet se është dobësuar, pa dyshim se do të jetë shumë më lehtë, që shteti dhe drejtësia vendore të bëjnë sa më parë që të jetë e mundur,punën e tyre, shpejt, saktë dhe si duhet”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

Qarri thotë se është e pa falshme që për kaq kohë të mbetet top sekret e kaluara e SHIK-ut, dhe aq më keq, nëse nuk arrin të zbulohet dhe hetohet e vërteta edhe në këtë mandat të ri qeverisës.

“Në fakt, përderisa vazhdon të ketë kaq shumë të panjohura rreth veprimtarisë së ish SHIK-ut, në mënyrë që të ndërpritet veprimtaria e mundshme kriminale ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, nga Qeveria e re, jo vetëm që pritet por edhe duhet ta këtë detyrë parësore, që të sqarohen qëllimet dhe mënyrat e veprimit, burimi i financimit dhe llogaridhënia se prej kujt merrnin urdhra nga kush kontrolloheshin si dhe cilëve persona u përgjigjeshin pjesëtarët e kësaj organizate për veprimet e tyre misterioze, të cilat mund të kenë qenë edhe antishqiptare dhe jo çdo herë konform ligjeve dhe interesave të shtetit të Kosovës. Kështu që, VV dhe Albin Kurti, megjithëse kishte dështuar ta bëjë një gjë të tillë, sa ishte në opozitë, tani me ardhjen në qeveri, duhet të veprojë dhe tregojë guximin e duhur që përfundimisht ta hetoj SHIK-un e Kadri Veselit dhe bëjë zbardhjen e vrasjeve politike, çmontojë kapjen e shtetit dhe shkatërrojë strukturat e organizuara mafioze të korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë kapluar të gjitha instancat e shtetit të Kosovës”, deklaron Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Përfundimisht, është edhe në interesin e Qeverisë dhe vet shtetit të Kosovës, që të zbardhet më në fund e kaluara e SHIK-ut, shërbim ky i akuzuar shpesh se ka gisht edhe në shumë vrasje e shantazhe të ndodhura në Kosovë si dhe të bëjë zbulimin e rrjeteve vepruese dhe involvimin e pjesëtarëve të kësaj organizate në institucionet e shtetit dhe të partive politike në vend, përfshi edhe partitë që përbëjnë koalicionin e ri qeverisës për t’i mbajtur nën kontroll veprimet e anëtarëve të SHIK-ut, të cilët punojnë për interesat personale të ish kryetarit Kadri Veseli apo partisë së PDK-së, si krijuese e kësaj organizate fantome”, përfundon Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)