Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vret 31 civilë në Jemen

  • 16 February 2020 - 08:46
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vret 31 civilë në Jemen

Kombet e Bashkuara njoftuan se 31 civilë janë vrarë përmes sulmeve ajrore në Jemen. Këta persona ishin viktima të sulmit hakmarrës të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite pas rrëzimit të një aeroplani luftarak nga rebelët Houthi.

Aeroplani luftarak i tipit Tornado u rrëzua të premten në provincën Al-Jawf gjatë një operacioni mbështetës për forcat qeveritare. Përgjegjësinë për rrëzimin e tij e morën rebelët e grupit Houthi, shkruan “The Guardian”.

Dhuna e përgjakshme erdhi pas shtimit të luftimeve në pjesën veriore të Jemenit, duke ngritur shqetësime për rëndimin e krizës humanitare në vendin e Gadishullit Arabit, ku miliona njerëz po rrezikohen nga uria dhe mungesa e kushteve të tjera elementare për jetesë. 

Lise Grande, koordinatore e Kombeve të Bashkuara, i dënoi këto sulme, duke i cilësuar si të tmerrshme. “Sipas ligjit humanitar ndërkombëtar, palët që ushtrojnë forcë janë të obliguara që t’i mbrojnë civilët. Pesë vjet në konflikt dhe palët po dështojnë ta respektojnë këtë përgjegjësi. Është shokuese”, tha ajo.

Rebelët raportuan për sulme të shumëfishta ajrore në zonën ku u rrëzua aeroplani i koalicionit të udhëhequr nga sauditët, duke shtuar se në mesin e personave të vrarë dhe të plagosur ka gra dhe fëmijë.

(Kosova Sot Online)