Rama i hakmerret Kurtit që kundërshtoi minishengenin në Munih, e quan ngatërrestar

  • 16 shkurt 2020 - 23:23
Rama i hakmerret Kurtit që kundërshtoi minishengenin në Munih, e quan ngatërrestar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vazhdon të sulmojë homologun e tij nga Kosova Albin Kurti, për shkak se ky i fundit kundërshtoi minishengenin. Kryeministri i Kosovës nuk u pajtua me idenë e shengenit rajonal dhe një gjë të tillë e tha edhe në Munih në konferencën e Sigurisë.

Rama madje e quajti Kurtin ‘ngatërrestar’ i cili sipas tij s’mund të ndalë idenë e lëvizjes së lirë në rajon.

“Unë jam i bindur që herët ose vonë Bashkimi Europian, Komisioni Europian do ta mbështesin patjetër këtë vizion sepse s’ka si të ndodhi ndryshe përderisa është një vizion që merr spunto nga katër liritë e vetë BE’së”, u tha Rama gazetarëve në Bruksel pas takimit informal me krerët e BE’së.

“Por sigurisht që do të na duhet që të kemi pak durim sepse ngatërrestarët nuk janë vetëm në Ballkan, janë edhe ne Europë, janë kudo kështu që ndërkohë që Bashkimi Europian, Këshilli Europian kanë shumë e shumë probleme të tjera, kështu që derisa të kenë plotësisht fokus në këtë që duam të bëjmë jam i bindur që gjithçka do të kthjellohet dhe pastaj jo vetëm që BE do e mbështesë fuqimisht por kam bindjen që vendet do të vlerësohen edhe në bazë të qasjes dhe kapaciteteve për të jetësuar hapësirën europiane brenda perimetrit të shengenit rajonal”, shtoi Rama.

I pari i ekzekutivit kosovar tha në Muhih se nuk beson në mundësi tjetër përveç anëtarësimit në BE vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo ideja e ‘Minishengenit’ nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë. Njëjtë sikur “Plani Marshall”, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një ‘Mini-Marshall Plan’ për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, pati thënë kryeministri Kurti.

(Kosova Sot Online)